BDI akuzon koalicionin VLEN se mashtroi me premtimin për 2.500 punësime, ndërsa në realitet qindra shqiptarë janë larguar nga puna dhe vendet e reja u rezervuan vetëm për njerëz të afërt me krerët e VLEN-it. Integristët theksojnë se kjo, bashkë me shfuqizimin e balancuesit nga VMRO, cenon përfaqësimin kushtetues të shqiptarëve në institucione.

“Pa balancues, shqiptarët u shndërruan në zero në institucionet shtetërore. Shumë institucione shpallën si të padëshiruar shqiptarët. Nuk ka asnjë mekanizëm kontrolli. Premtimet për motrat medicinale në Tetovë u zhdukën pa gjurmë, ligji nuk shihet askund dhe Mickoski ua mbyll gojën publikisht partnerëve të tij shqiptarë sa herë që duan të flasin për punësime. Dhe ata heshtin. Vazhdojnë të heshtin”, thonë nga BDI.

Nga koalicionin në pushtet VLEN u kundërpërgjigjen duke thënë se për më shumë se dy dekada BDI i mashtroi shqiptarët me fjalë boshe dhe me premtime që kurrë nuk u shndërruan në vepra. Ishin 20 vite në pushtet, por asnjëherë nuk sollën ligj për përfaqësim të drejtë, akuzojnë nga VLEN.

“Sot, kur ligji më në fund është në procedurë, pikërisht BDI është ajo që kundërshton punësimin e shqiptarëve. VLEN e solli Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe rezultatet janë të qarta: Punësuam një numër të madh të shqiptarëve në institucione, Punësuam më shumë se sa ka punësuar BDI në cilëndo vit gjatë gjithë periudhës 20-vjeçare të qeverisjes së saj, Trashëguam institucione ku shqiptarët kishin madje 0% përfaqësim, ndërsa sot aty tashmë ka ndryshime”, theksojnë nga Koalicioni VLEN.

Integristët përfundojnë reagimin e tyre duke thënë se shqiptarët meritojnë punësim, përfaqësim dhe dinjitet, jo manipulime dhe fshirje nga institucionet. Ndërsa nga VLEN i qetojnë duke thënë se po ndërtohet masivisht në komunat ku jetojnë shqiptarët dhe po sjellin përfaqësimin e drejtë dhe zhvillimin aty ku u nevojitet më shumë qytetarëve.