Opozitarja BDI ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson, presionit “skandaloz të tipit verikorean” nga VMRO-DPMNE dhe Antonio Milloshoski ndaj Prokurorisë dhe drejtësisë, duke thënë se një sjellje e tillë po e dëmton rëndë sistemin juridik në vend. Sipas BDI-së, VMRO-DPMNE dikur ankohej për përndjekje politike nga LSDM dhe PSP, ndërsa sot, sipas tyre, po vepron në mënyrë të njëjtë dhe është shndërruar nga e përndjekur në përndjekëse politike.
“VMRO të ndalojë partizimin e Prokurorisë dhe përndjekjen politike. BDI tashmë e ka informuar të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, e cila është e skandalizuar nga presioni brutal partiak dhe porositë ndaj prokurorisë. E inkurajojmë prokurorinë që, aty ku nuk ka vepër, nuk ka prova dhe nuk ka dëm, t’i hedhë poshtë kallëzimet penale politike për përndjekje politike dhe të mos bie nën presionin qeveritar e partiak, por të veprojë sipas ligjit”, thonë nga BDI.
Ky reagim i integristëve vjen pasi Milloshoski dje kërkoi nga prokuroria që të rishqyrtojë vendimin për “Mazutin” dhe të sjellë korrigjim të vendimit për ndërprerjen e hetimit. Shtoi se ankimimi zyrtar i EMV-së tregon se prokurorja Kolaroviq ka vepruar joprofesionalisht dhe se hetimi për skandalin “Mazut” prej 167 milionë eurosh është ndërp rerë në mënyrë paushalle, duke përjashtuar pa bazë disa prova për përgjegjësi penale.
“Ankesa i EMV-së është një rrethanë e re sipas së cilës hetimi i ndërprerë për mazutin mund të vazhdojë, sepse EMV është person juridik i dëmtuar që i kundërshton deklaratat e Kolaroviq dhe Abazit si një tandem prokurorial që u ka dhënë rol të privilegjuar dhe u ka besuar më shumë deklaratave të Kapushevskit, Jahoskit, Adrian Muçës, Erxhan Suloskit, ndërsa fare nuk e kanë pasur të disponueshëm Vasko Kovaçevskin”, tha Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
Përndryshe, kompania shtetërore EMV ka dorëzuar ankesë në Prokurorinë e Lartë Publike pas vendimit të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion për ndërprerjen e hetimit për furnizimet me mazut për TEC “Negotinë”, duke kërkuar rishqyrtim të rastit dhe kontroll të procedurës. Sipas EMV-së, deklaratat e dhëna gjatë hetimit kanë qenë teknike dhe nuk përfaqësojnë vlerësim për dëme të mundshme, ndërsa më herët prokuroria kishte njoftuar se nuk janë gjetur elemente të veprës penale në këtë rast.
