Besimtarët myslimanë sot festojnë Kurban Bajramin, një nga festat më të rëndësishme në Islam, e cila simbolizon sakrificën, besimin dhe solidaritetin mes njerëzve.

Me këtë rast, në xhamitë në vend dhe në mbarë botën janë mbajtur faljet e mëngjesit dhe ceremonia e Bajramit, ku prijësit fetarë kanë përcjellë mesazhe për paqe, tolerancë, mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë.

Kjo festë lidhet me gatishmërinë e profetit Ibrahim për të sakrifikuar djalin e tij në shenjë bindjeje ndaj Zotit, sakrificë që në Islam konsiderohet simbol i devotshmërisë dhe besimit të sinqertë.

Kurban Bajrami shënohet edhe me therjen e kurbanit, mishin e të cilit besimtarët e ndajnë me familjarët, miqtë dhe familjet në nevojë, duke përcjellë frymën e humanizmit, solidaritetit dhe kujdesit për njëri-tjetrin.

Me rastin e festës, krerë fetarë dhe institucionalë kanë dërguar urime për qytetarët, duke uruar paqe, shëndet dhe mirëqenie në çdo familje.