Goli i Lamine Yamal kundër PSG-së në Champions League ka mahnitur edhe Alessandro Del Pieron. Në studiot e “Sky Sport”, ish-kapiteni i Juventusit analizoi detajet teknike të aksionit që i mundësoi talentit të Barcelonës të kalonte mbrojtjen pariziene dhe të mposhtte portierin Safonov.
Del Piero vlerësoi fillimisht kontrollin e topit: “Është spektakël të shohësh se si përfiton nga pasaktësia e Zaire-Emery në pasimin për dalje nga mbrojtja. Por le të ndalemi te kontrolli; menjëherë e ul topin me gjoks, duke u orientuar drejt mbrojtësit për ta sulmuar. Kjo ndryshon dinamikën e aksionit, sepse nuk pret, por i vërsulet menjëherë mbrojtësit, i cili pozicionohet nga brenda, i shqetësuar nga e majta e tij”.
Më tej, ish-ylli i Juventusit shtoi: “Sapo sheh atë hapësirë, largohet me shpejtësi dhe pastaj vjen gjenialiteti. Me atë hap, godet me majën e këmbës. Jo vetëm që gjuan me majë, por edhe e ngre topin. Mendoj se e bëri qëllimisht. Po ta kishte goditur ulët, Safonov do ta priste me gju”.
The post Del Piero, i magjepsur nga goli i Yamal ndaj PSG: Çfarë spektakli, çfarë goditjeje! Këtu ka gjenialitet appeared first on Telesport.
