Boksieri britanik Daniel Dubois, kampion bote në peshën e rëndë në kategorinë WBO, synon një përballje historike në vitin 2027 kundër Tyson Fury. Të shtunën, Dubois e mposhti bindshëm Fabio Wardley në vetëm dy raunde, në revansh, duke mbrojtur kështu titullin.
Në dhjetor, Fury do të përballet me Anthony Joshua në një duel të madh mes dy britanikëve. Nëse fiton ndaj Joshua, ai do të sigurojë titullin “super” të versionit WBA, ndërsa Dubois do ta mirëpriste një duel unifikues kundër Fury.
“Patjetër. Do të ishte diçka historike. Do të ishte një hap i madh përpara për mua. Në fakt, jam ndeshur me të gjithë boksierët e kësaj epoke. I kam përballuar të gjithë. Fury është i fundit“, tha Dubois.
“Fury është luftëtar, jam i sigurt që edhe ai do ta dëshironte këtë duel. Le të shohim si do t’ia dalë kundër Joshua. Jam i bindur se Frank Warren, promovuesi ynë i përbashkët, do të dëshironte shumë ta organizonte këtë ndeshje“, shtoi Dubois.
Dubois ka qenë protagonist kryesor në dy evente në stadiumin “Wembley”, fillimisht kundër Anthony Joshua dhe më pas kundër Oleksandr Usyk. Një përballje ndaj Fury do të mbushte çdo stadium. “Ky është thelbi i boksit. Ky është niveli më i lartë, vërtet niveli më i lartë i mundshëm. Ja si duket ai,” u shpreh Dubois.
Fury dhe Dubois kanë një histori të përbashkët; shumë vite më parë, ata kanë zhvilluar seanca stërvitore (sparring) së bashku: “Ishte pikërisht koha kur po kaloja në boksin profesionist. Shkova për të bërë sparring me kushëririn e tij Hughie dhe më pas u përfshi edhe ai për disa raunde. Kujtime të bukura, punë e shkëlqyer.”
“Ishte vërtet i shëndoshë në atë kohë, por ishte i vështirë për t’u kapur“, shtoi Dubois, që mbetet i vendosur për të arritur majën në kategorinë e peshave të rënda: “Dua t’i fitoj të gjithë brezat. Kjo është gjëja kryesore për mua tani: të mbledh të gjithë brezat e tjerë. Do të thoshte gjithçka për mua t’i kisha të gjithë ata tituj”.
“Dua të rikthehem sa më shpejt të jetë e mundur. Kurdo që të jenë gati brezat, kurdo që të jenë gati sfiduesit kryesorë, këtë dua unë. Dua të ndeshem“, tha Dubois, që shpreson se kundërshtari i tij i radhës do të jetë ose mbajtësi i titullit WBC, Agit Kabayel ose mbajtësi i brezit IBF, Filip Hrgovic.
“Kushdo prej tyre. Hrgovic ishte i pranishëm të shtunën. Ndoshta ai ose Kabayel. Edhe Hrgovic ishte një kundërshtar i fortë. Sa për Kabayel, do të shohim, do të shohim se çfarë vlere ka. Ai nuk është ndeshur kurrë me dikë si unë, por është boksier i mirë. Dua dikë që mban një titull, kushdo që e dëshiron këtë përballje“, tha Dubois.

The post Dubois: Dua të përballem me këdo që mban një titull, por ëndërroj një duel me Tyson Fury appeared first on Telesport.
