Rivaliteti me Carlos Alcaraz dhe Jannik Sinner mund të bëhet një nga sfidat e mëdha të tenisit modern, por pa urrejtje apo tension personal. Vetë tenisti spanjoll e shpjegoi këtë në një intervistë me “Vanity Fair”, jashtë loje për shkak të një dëmtimi në kyçin e dorës që e detyron të humbasë edhe Roland Garros.
“Ne e ndihmojmë njëri-tjetrin të japim më të mirën tonë,” shpjegon Alcaraz, duke folur për marrëdhënien e tij me Sinner. “Ne luftojmë për të njëjtin qëllim, por nuk ka nevojë të urrejmë njëri-tjetrin sepse duam të njëjtën gjë. Kur garon në këtë nivel, të kesh një miqësi të ngushtë është e komplikuar, por mund të arrihet dhe unë jam absolutisht në favor të saj“, tha kampioni spanjoll.
Megjithatë, ai i shmang krahasimet me rivalitetet e mëdha të së kaluarës: “Rivalitetet janë procese të gjata. I yni nuk është ende i krahasueshëm me rivalitetet historike të tenisit sepse kemi ende shumë vite përpara. Shpresojmë të vazhdojmë të luajmë kundër njëri-tjetrit shumë herë. Ndoshta në shumë finale, duke ndarë turnetë më të rëndësishëm.”
Alcaraz ndalet gjithashtu në momentin delikat që përjetoi për shkak të dëmtimit të kyçit të dorës dhe vështirësive në menaxhimin e presionit të turneut. “Edhe ne jemi njerëz. Ka ditë të mira dhe të këqija, ndonjëherë zgjohesh duke mos dashur të bësh asgjë, por prapëseprapë duhet të shfaqesh. Kishte raste kur nuk ndalesha për të bërë një pushim, dhe kjo bëri që të mos luaja mirë dhe të lëndohesha
Ai flet për nevojën për të gjetur ekuilibër midis karrierës dhe jetës personale. “E di që po jetoj jetën që kam ëndërruar gjithmonë, por ndonjëherë do të doja të kisha më shumë kohë për veten time, për të bërë gjërat që do të bënte një 22-vjeçar. Mundohem të mos mendoj për 12 ose 15 vitet e karrierës sime që mund të kem përpara, sepse do të ndihesha i mbingarkuar. Nuk dua të bëhem skllav i tenisit“, tha Alcaraz.
The post Dëmtimet, Sinner dhe trofetë, rrëfehet Alcaraz: Dua të fitoj gjithçka, por nuk do të jem skllav i tenisit appeared first on Telesport.
