Gazetare: Ajnur Bafqari

Një përplasje e fuqishme, dy automjete të përfshira nga flakët dhe katër jetë të humbura. ( atmosferë) Ky është bilanci tragjik i aksidentit që ndodhi mbrëmë në qarkoren në Radishan-Prishtinë- Mirkovcë.

“Kamioni i cili mbrëmë u përfshi në aksidentin fatal, ku si pasojë humbën jetën 4 persona ndodhet ende në vendin e ngjarjes, ndërsa makina tjetër e tipit BMW, e cila ishte shkrumbuar pothuajse tërësisht, e të cilës i kishte mbetur vetëm skeleti, është larguar nga vendi i ngjarjes. Por si ndodhi aksidenti…” thotë gazetarja Ajnur Bafqari.

Kamioni po lëvizte në drejtim nga Kosova drejt pjesës veriore të Shkupit, ndërsa automjeti BMW në drejtim të kundërt. Pas humbjes së kontrollit, kamioni përplasi gardhin metalik ndarës, kaloi në korsinë e kundërt, u përplas me makinën dhe më pas doli komplet nga autostrada.

 

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:00 mes një kamioni me targa kosovare dhe një makine e tipit BMW me targa të Shkupit,  ku pas një goditjeje të fortë vetura u përfshi menjëherë nga flakët, duke u djegur pothuajse tërësisht. Katër personat që ndodheshin brenda veturës nuk arritën të shpëtonin.

Nga flakët u përfshi edhe kabina e kamionit, por drejtuesi i tij, fatmirësisht ka arritur të mbijetojë.

Drejtuesi i kamionit është ndaluar, ndërsa po punohet në zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë aksident. Nga policia thonë se pas dokumentimit të plotë, do të dorëzohet kallëzimi përkatës.

“Mjeku i ndihmës së shpejtë ka konstatuar vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit publik trupat janë dorëzuar për obduksion. Po ashtu me urdhër të ndihmës së shpejtë, drejtuesi B.B është privuar nga liria dhe është mbajtur në stacion policor“-

deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski. 

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje intervenuan forca të shumta policore, ekipe zjarrfikëse, ndihma e shpejtë dhe hetuesit, ndërsa prokurori kujdestar nisi ekzaminimet në terren. Hetimet u fokusuan në analizimin e gjurmëve të frenimit, dëmtimeve në asfalt dhe rrethanave që çuan deri te tragjedia, ndërsa procedurat hetimore vazhduan deri në orët e para të mëngjesit.

Për shkak të gjendjes së rëndë të trupave dhe djegies së plotë të automjetit, autoritetet paralajmëruan se identifikimi do të kërkojë procedura shtesë të mjekësisë ligjore dhe obduksion. Edhe nga Mjekësia Ligjore thanë për Alsat se po punojnë për zbardhjen e plotë dhe me informacione shtesë do të dalin ditëve në vazhdim. /Alsat.mk

The post Detajet e aksidentit tragjik ku humbën jetën 4 persona appeared first on Alsat.