Unioni i Diasporës Shqiptare nga Maqedonia e Veriut kërkon garantimin e gjuhës shqipe në provimet juridike dhe u bën thirrje studentëve të vazhdojnë protestat paqësore deri në zbatimin e plotë të kërkesave të tyre. Në një deklaratë të nënshkruar nga kryetari Arbin Mustafa, organizata URA e.V. rikonfirmon mbështetjen për studentët dhe, krahas barazisë gjuhësore, kërkon zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe hapjen e rrugës për një riorganizim federal të shtetit, përmes reformës demokratike dhe kushtetuese, shkruan gazeta KOHA.
Unioni bën të ditur se qëndrimin e ka rikonfirmuar pas një takimi me përfaqësues të studentëve dhe ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari. Organizata thekson se solidariteti i shprehur që në muajin shkurt mbetet i pandryshuar dhe se studentët kanë të drejtë të kërkojnë rezultate konkrete.
“Jemi në krah të studentëve në vendimin e tyre për të këmbëngulur në kërkesat që gjuhës shqipe t’i njihet status i barabartë. Ne mbështesim vendosmërinë e tyre për të mos u mjaftuar vetëm me premtime, por për të kërkuar veprime konkrete”, thuhet në deklaratë.
Sipas Unionit, përdorimi i barabartë i shqipes nuk duhet të kushtëzohet nga shumicat politike, interesat partiake apo ndryshimet në koalicionet qeverisëse. Organizata kundërshton atë që e cilëson si mentalitet politik që ruan hierarkitë etnike dhe pret pranimin në heshtje të diskriminimit.
“Barazia nuk është një lëshim që një komunitet ia bën një tjetër. Ajo është një e drejtë themelore e të gjithë qytetarëve dhe qytetareve”, thekson Unioni, duke shtuar se “studentët që kanë përfunduar studimet në gjuhën shqipe duhet t’u lejohet t’i japin provimet edhe në shqip, për të dëshmuar njohuritë e tyre profesionale. E ardhmja e tyre profesionale nuk duhet të rrezikohet nga barriera gjuhësore. Për studentët shqiptarë duhet të garantohen kushte të barabarta”.
Një pjesë qendrore e deklaratës është apeli drejtuar lëvizjes studentore për të mos pranuar zvarritje dhe për ta matur përparimin me zbatimin real të kërkesave. Unioni kërkon vazhdimin e protestave me bashkim, vendosmëri dhe karakter paqësor.
“Mos lejoni që kërkesat tuaja të shtyhen përmes zvarritjeve, takimeve simbolike apo njoftimeve që nuk shoqërohen me angazhime konkrete. Bisedimet duhet t’i shërbejnë zbatimit konkret. Vetë barazia e gjuhës shqipe nuk duhet të bëhet objekt pazari. Bëhet fjalë për të ardhmen tuaj dhe për të ardhmen e një shteti”, thuhet në deklaratë.
“Protestat duhet të përfundojnë vetëm kur kërkesat të jenë zbatuar plotësisht dhe në mënyrë të verifikueshme. Për sa kohë që kërkesat thelbësore mbeten të papërmbushura, u bëjmë thirrje studentëve që të vazhdojnë të jenë të pranishëm në rrugë, të bashkuar, paqësorë dhe këmbëngulës. Vetëm premtimet politike nuk mjaftojnë”, nënvizon organizata.
Institucioneve shtetërore u kërkohet që provimet në shqip të garantohen ligjërisht dhe në aspektin organizativ në të gjitha programet e studimit, si dhe në provimet shtetërore e të kualifikimit profesional. Sipas Unionit, kjo nënkupton materiale ekuivalente, komisione të kualifikuara profesionalisht e gjuhësisht dhe kritere të njëjta, pa tarifa shtesë, vonesa apo disavantazhe për kandidatët që zgjedhin shqipen.
Për Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, organizata kërkon zbatimin e plotë të detyrimeve për mosdiskriminim, përfaqësim të drejtë dhe adekuat, gjuhë, arsim dhe vetëqeverisje lokale. Qeverisë i kërkohet të publikojë detyrimet e papërmbushura dhe një plan masash me përgjegjësi të përcaktuara e afate detyruese.
Përtej këtyre kërkesave, Unioni propozon një ndryshim thelbësor të shpërndarjes së pushtetit.
“Synimi ynë është një rend federal me institucione rajonale të zgjedhura në mënyrë demokratike, me kompetenca të përcaktuara qartë dhe me autonomi financiare të garantuar”, thuhet në deklaratë. Modeli i propozuar përfshin kompetenca vendore në arsim, kulturë e shërbime publike, financim të qëndrueshëm, garanci gjuhësore për të gjitha bashkësitë dhe kontroll demokratik, ndërsa politika e jashtme e mbrojtja do të mbeteshin përgjegjësi e institucioneve të përbashkëta.
“Një riorganizim i tillë do të përbënte një reformë kushtetuese më vete. Ai duhet të realizohet në rrugë demokratike dhe kushtetuese, brenda kufijve ekzistues të shtetit”, sqaron Unioni, duke kërkuar pjesëmarrjen e të gjitha bashkësive në përcaktimin e modelit. Deklarata përmbyllet me mbështetjen për angazhimin paqësor të studentëve dhe mesazhin: “Të drejtat e shqiptarëve janë të panegociueshme!”. (koha.mk)
The post Diaspora kërkon provime në shqip dhe vazhdimin e protestave studentore first appeared on .
