Xhudistja Distria Krasniqi ka arritur të fitojë medaljen e bronztë në kategorinë deri në 52 kilogramë në Grand Slamin që po mbahet në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Distria e ka bërë edhe një herë krenare shtetin e Kosovës, por edhe gjithë shqiptarët duke rrëmbyer medaljen e radhës, e cila vjen pikërisht në ditën e festës së flamurit, 28 nëntor.

Xhudistja nga Peja e ka mposhtur kundërshtaren e saj holandeze, Naomi Van Krevel, duke fituar kështu medaljen e bronztë me anë të repesazhit.

Ndryshe, xhudistja nga Peja, e nisi mirë garat gjatë ditës së sotme duke mposhtur në xhiron e dytë rusen, Katrina Efimova, në kategorinë deri në 52 kilogramë për të kaluar në çerekfinale, ku e mposhti me ‘waza-ari’ izraeliten Gefen Primo dhe duke kaluar në gjysmëfinale.

Megjithatë, në gjysmëfinale, kampionia olimpike ishte e pafat duke u ndalur nga hungarezja Reka Pupp, të cilën e dominoi gjatë lojës së rregullt. Distria humbi në ‘golden score’, ku pasi iu anulua një ‘waza-ari’, gjyqtarët vendosen t’ia japin më vonë një pikë kundërshtares së saj e cila kaloi në finale.

Ndryshe, përveç Distrisë, Kosova përfaqësohet edhe nga Laura Fazliu (-63kg), e cila garon të shtunën dhe Shpati Zekaj (-100kg) që garon të dielën.

The post Distria Krasniqi, arkëton medalje të bronztë në Abu Dabi appeared first on Alsat.