Gjatë ndeshjes kundër Nice, sulmuesi i PSG, Désiré Doue, u detyrua të largohej nga fusha me barelë pas një përplasjeje aksidentale, duke bërtitur nga dhimbjet. Ato pamje ishin momenti më i dhimbshëm i fundjavës në futboll.

Ekzaminimet mjekësore konfirmuan frikën më të madhe. Talenti i Paris Saint-Germain ka pësuar këputje të ligamentit të kryqëzuar, një goditje që të kujton dëmtimin që aktualisht e mban jashtë fushave Khvicha Kvaratskhelia.

Pas valës së mbështetjes së marrë në orët e fundit, lojtari 21-vjeçar zgjodhi rrjetet sociale për të ndarë një mesazh personal. Teksa shprehu zhgënjimin e tij të thellë, francezi i ri tregoi gjithashtu një vendosmëri të fortë për t’u rikthyer.

“Është një moment i vështirë. Ky dëmtim më trishton. Por jam i bindur se do të kthehem shumë më i fortë. Një sfidë e re, një mundësi e re për t’u rritur. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe dashurinë që më keni treguar. Vazhdoj të kem besim“, tha Doue.

Për anësorin sulmues tani fillon një fazë delikate e karrierës së tij. Këputja e ligamentit të kryqëzuar kërkon një periudhë të gjatë rehabilitimi, duke e lënë klubin parizien përballë një tjetër mungese të rëndësishme në repartin e sulmit.

Pavarësisht vështirësisë, Doué ka përcjellë një mesazh besimi dhe vendosmërie: qëllimi i tij është të rikthehet në fushë në formë optimale dhe të dëshmojë sërish vlerat e tij me fanellën e Paris Saint-Germain.

The post Doué pas dëmtimit të rëndë: Jam i trishtuar dhe moment i vështirë, por është një mundësi për t’u rritur appeared first on Telesport.