Mundësi shqiptar Islam Dudaev i ka sjellë Shqipërisë medaljen e parë në Kampionatin Europian të Mundjes për të rritur, turne që po zhvillohet në sallën sportive “Feti Borova” në Tiranë.

31-vjeçari kuqezi fitoi sot 4-0 ndaj rusit Islam Guseinov në sfidën gjysmëfinale të peshës 65kg, stili i lirë, duke siguruar kështu një biletë për në finalen e madhe, që do të zhvillohet pasditen e së shtunës.

Tashmë mbetet për t’u mësuar ngjyra e medaljes, nëse do të jetë e artë apo e argjendtë. Një sfidë e dominuar nga mundësi kuqezi, që në tapet dominoi, mbështetur edhe nga mjaft tifozë në sallën e lojërave.

Dudaev realizoi nga dy pikë për secilin raund, duke qenë gjithnjë superior në tapet. Guseinov nuk arriti dot të rivalizojë, madje ai e mbylli duelin i dëmtuar. Gjatë paraditës, Dudaev kishte fituar edhe dy sfida të tjera.

Në sfidën e parë, mundësi kuqezi mundi 6-1 turkun Ahmet Duman, duke avancuar në çerekfinale. Në përballjen e dytë, Dudaev bën një tjetër paraqitje të mirë, duke triumfuar 3-1 ndaj gjeorgjianit Nika Zakashvili.

The post Dudaev shkon në finalen e peshës 65kg, i dhuron Shqipërisë medaljen e parë në Europianin e mundjes appeared first on Telesport.