Bayern Munich nuk mori dot më shumë se një pikë pas barazimit 3-3 ndaj Viking në Champions League. Bavarezët e nisën shumë keq takimin, duke e mbyllur pjesën e parë në disavntazh të dyfishtë.
Pjesa e dytë kishte një fytyrë komplet tjetër për Bayern, që arriti shumë shpejt të shënojë tre gola dhe të përmbysë shifrat. Por, kartoni i kuq i marrë nga Michael Olise, në momentin kur Bayern ishte në avantazh 2-3, ndikoi shumë dhe në fund nordikët barazuan shifrat 3-3.
Harry Kane, protagonist me dy gola në këtë takim, tha se kartoni i kuq i marrë nga shoku i tij i skuadrës, Michael Olise, ndryshoi gjithçka në këtë ndeshje. Sulmuesi anglez shtoi se francezi duhet të marrë përgjegjësinë për gabimin e tij.
“Ishte një pjesë e parë e dobët për ne. E nisëm mirë pjesën e dytë dhe luftuam për t’u rikthyer në lojë. Por kartoni i kuq ndryshoi gjithçka për ne. Olise do të jetë shumë i zhgënjyer dhe duhet të marrë përgjegjësinë. Ishte një gabim dhe gabimet ndodhin. Ai duhet të mësojë prej tij”, tha fillimisht Kane.
“Pa kartonin e kuq, me siguri do të kishim vazhduar, do t’i kishim ndëshkuar dhe do ta kishim mbyllur ndeshjen fuqishëm. Por ky është futbolli; duhet të jesh i zgjuar dhe i vëmendshëm në këto momente, si dhe duhet t’i kontrollosh emocionet.
Ne do të mbështesim njëri-tjetrin dhe do të sigurohemi që të përmirësohemi si grup. Ne fitojmë së bashku, dhe humbasim apo barazojmë së bashku. E dimë që duhet t’i eliminojmë gabimet dhe do ta bëjmë këtë”, shtoi Kane.
The post “Duhet të jesh i zgjuar”, Harry Kane nuk pajtohet me atë që Olise bëri ndaj Viking appeared first on Telesport.
