Emisioni i radhës i “Në Shtëpinë e Futbollit” në FSHF TV u fokusua te mungesa e Ligjit të Sponsorizimit, një çështje që po bëhet pengesë për zhvillimin e futbollit në vend. Gjithashtu, në qendër të diskutimit ishte edhe java e gjashtë e kampionatit “Abissnet Superiore”.

Nën drejtimin e moderatores Lenida Halilaj, të ftuar në studio ishin anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Pano Xhixho, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, Ardian Haçi, si dhe specialisti i futbollit, Florian Riza. Në qendër të diskutimit ishte rikthimi i draftit të projektligjit për sponsorizimin në sport.

Ndonëse kërkohet prej kohësh nga bota e sportit, ky ligj vijon të mos marrë mbështetjen e nevojshme, pavarësisht se prej vitesh premtohet nga qeveria në daljet publike që lidhen me sportin. Edhe pse është punuar për hartimin e një ligji që do t’i shërbente sportit në përgjithësi dhe futbollit në veçanti, Ministria e Financave, edhe një herë, nuk ka dhënë dritën jeshile për draftin e propozuar.

Projektligji, i hartuar pas konsultimeve me palët e interesit dhe ekspertët e fushës, parashikonte që bizneset që investojnë në sport të përfitonin një lehtësim deri në 30% të tatimit mbi fitimin për shumën e sponsorizuar. Ligji i Sponsorizimit shihet si një mundësi e rëndësishme për të nxitur investimet private dhe për të mbështetur zhvillimin e sportit shqiptar, i cili vijon të përballet me mungesën e mbështetjes së nevojshme financiare.

Në vëmendje ishte edhe rikthimi i kampionatit “Abissnet Superiore”. Derbi i kryeqytetit, Partizani–Tirana, mori vëmendjen e duhur pas spektaklit që dhuroi 90-minutëshi i zhvilluar në stadiumin “Air Albania”. Po ashtu, u diskutuan fitorja e Teutës ndaj Skënderbeut, suksesi i Egnatias në transfertë ndaj Laçit, triumfi i Vllaznisë kundër Dinamo Cityt, si dhe barazimi mes Elbasanit dhe Vorës.

“Në Shtëpinë e Futbollit” sjell çdo javë në FSHF TV zhvillimet kryesore të futbollit shqiptar, me fokus te Kombëtarja, ekipet kombëtare të moshave, kampionatet kombëtare, si dhe aktivitetet dhe projektet e FSHF-së.

The post Episodi i radhës i “Në Shtëpinë e Futbollit” fokusohet i gjithi te Ligji i Sponsorizimit appeared first on Telesport.