Tashmë është zyrtare: edhe Franca ka tërhequr mbështetjen për presidentin e FIFA, Gianni Infantino, në prag të zgjedhjeve të reja presidenciale të planifikuara për më 18 mars 2027 në Rabat të Marokut.
“Një sërë ngjarjesh që përfshijnë drejtpërdrejt qeverisjen e FIFA-s dhe presidentin e saj kanë dalë në pah që kur FFF-ja shprehu mbështetjen e saj më 29 qershor. Ngjarje që bien në kundërshtim të plotë me parimet thelbësore të qeverisjes së mirë dhe vlerat e futbollit,” thuhet në deklaratën e Federatës Franceze të Futbollit (FFF).
Deklarata i referohej planit të Infantino për të shitur një pjesë të aksioneve të Kupës së Botës te një fond privat investimi për 4.2 miliardë dollarë.
“Sot, edhe pse projekti është braktisur përfundimisht falë një reagimi të koordinuar brenda UEFA dhe në bashkëpunim me disa konfederata të tjera, çështja e qeverisjes së FIFA nuk mund të konsiderohet e zgjidhur,” përsëriti FFF-ja, duke shtuar se nismat e fundit të Infantinos kanë “cenuar rëndë imazhin dhe unitetin e futbollit”.
UEFA ka kërkuar dorëheqjen e Infantino, duke kërcënuar me bojkotimin e turneve të FIFA. Federata franceze synon të konsultohet me palët e interesuara ndërkombëtare për të propozuar reforma në qeverisjen e FIFA-s, me qëllim rikthimin e besimit dhe transparencës.
“Megjithëse mbështetja iu dha fillimisht presidentit të FIFA, i cili në atë kohë ishte kandidati i vetëm për rizgjedhje, kushtet për atë mbështetje nuk ekzistojnë më. FFF bën thirrje për hartimin e një projekti global futbolli që synon ndërmarrjen e një reforme të thellë të qeverisjes së FIFA-s dhe vazhdimin e zhvillimit të sportit, duke ndërthurur përsosmërinë me solidaritetin“, përfundon deklarata.
The post Edhe Franca i kthen shpinën Infantino: Ka cënuar imazhin dhe unitetin e futbollit appeared first on Telesport.
