Pas 12 vitesh Angella e vogël më në fund e mori dokumentin me të cilin është evidentuar në regjistrin amë. Ndonëse e lindur në vitin 2012 në Shkup, ajo tani e ka marrë certifikatën e lindjes pasi që gjyshja e saj, Gjulizar Sulejman, pas “shëtitjeve” të gjata nëpër korridoret e institucioneve, nuk ka arritur të nxjerr dokument për të. Së bashku me Qendrën e Fëmijëve, ajo ka ngritur rast te Avokati i Popullit për zgjidhjen e këtij problemi. Për shkak se vajza nuk kishte dokumente dhe nuk ishte e regjistruar në shkollë, ajo ndoqi mësimet vetëm në Qendrën ditore të Qendrës për raste sociale.
“E kam pasur shumë të vështirë, kam qarë për të shkuar në shkollë, kam qarë, por gruaja e kryetarit të komunës e ka çuar atje në shkollë dhe e ka regjistruar pa certifikatë. Dhe tani me ata mëson, ha, pi, është ngrohtë brenda Qendrës, i dhanë rroba, jam shumë mirënjohëse”, tha Gjulizar Sulejman.
Avokati i Popullit, Naser Ziberi thotë se gjatë procedurës vazhdimisht janë kërkuar dokumente për vajzën, të cilat gjyshja nuk ka ditur nga cili institucion t’i kërkojë, por më vonë ka rezultuar se të gjitha ato dokumente nuk kanë qenë fare të nevojshme. Me një problem të tillë u përball edhe nga zyra e Avokatit të Popullit.
“Sipas informacioneve që i mora nga të punësuarit që kanë punuar në këtë lëndë, edhe ata janë përballur me shumë marrëzira gjatë zgjidhjes së lëndës. Për shembull u është theksuar se pala duhet të kërkojë edhe parashtrojë një grumbull dokumentesh që në fund të rezultojë se është dashur të sigurohet vetëm e dhënë nga Klinika e gjinekologjisë dhe akusherisë ku është lindur fëmija”, deklaroi Naser Zyberi.
Nga Qendra ditore për fëmijë thonë se në gjithë procedurën që vajza të mos udhëhiqet si “fantomë” ndihmë më të madhe kanë marrë pikërisht nga Avokati i Popullit.
“Kontaktuam me Avokatin e Popullit dhe na u gjendën si mbështetje, ndihmë, që të mundet vajza më në fund të marrë dokumentin për shkak të së cilit paraprakisht ishte fantomë. D.m.th. pas plot 12 vjetëve më në fund vajza ka certifikatë”, tha Meri Madestanov Fejyullahu.
Në qendrat për punë sociale janë të evidentuar 700 persona pa dokumente. Prej tyre mbi 400 janë inkurajuar që të paraqiten që të kërkojnë dokumente, por për më shumë se gjysmën e tyre fare nuk është ngritur procedurë.
