Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate, Venko Filipçe, bëri thirrje për konsensus të brendshëm midis të gjithë faktorëve politikë në shtet, me qëllim të përcaktimit të mënyrës së bashkëpunimit për të vazhduar procesin eurointegrues të vendit. Pas takimit me komisioneren për zgjerim të BE-së, Marta Kos, lideri i opozitares LSDM tha se si parti mbeten tërësisht të përkushtuar ndaj procesit eurointegrues dhe se ky është i vetmi drejtim përmes të cilit vendi mund të forcojë kapacitetet e veta, qytetarët të kenë një pozitë më të mirë ekonomike dhe të ndodhë një reformë e vërtetë e sistemit gjyqësor.

“Më vjen keq që në vitin e kaluar ka pasur ngecje në këtë drejtim, mungon strategjia, politika dhe dialogu, dhe fatkeqësisht po rihapen çështje të mbyllura. Kërkova mbështetje nga komisionerja europiane, nga ajo personalisht dhe nga të gjitha institucionet evropiane, që të zhbllokohet rruga jonë eurointegruese dhe dua të theksoj se kjo nuk është kohë për kalkulime apo interesa të ngushta partiake. Kjo është kohë kur çdo parti duhet të japë maksimumin për të vazhduar në rrugën e integrimit europian, që të hapen kapitujt e negociatave, sepse qytetarët këtë e presin nga ne”, tha Venko Filipçe, lider i LSDM-së.