Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, është i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Këtë e theksoi në brifingun e rregullt javor me gazetarët, pavarësisht se ditëve të fundit kjo temë u rikthye në skenën politike, pasi Bujar Osmani nga BDI-ja deklaroi se për këtë çështje po zhvillohen bisedime me VMRO-DPMNE-në.
“Sipas meje, nuk duhet të ketë zgjedhje dhe jam i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Jam i bindur në emrin tim personal, por edhe nga intuita ime politike”, tha Gashi.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, lidhur me zgjedhjet e parakohshme përsëriti qëndrimin se zgjedhje do të ketë atëherë kur të mos ketë më para në Buxhet. Ndërsa, lidhur me atë nëse është i gatshëm të ulet dhe të bisedojë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, tha se kjo do të ndodhë kur të ketë marrëveshje që të mos bëhen ndryshimet në ligj të propozuara nga VMRO-DPMNE-ja.
“Qëndrimet tona janë të pandryshuara. Së pari, sa i përket zgjedhjeve, siç thashë, zgjedhje do të ketë atëherë kur të mos ketë më para në Buxhet. Ndërsa sa i përket Kodit Zgjedhor, qëndrimet tona janë kristalisht të qarta dhe të pandryshuara. Së pari, të mbetet mënyra e deritanishme e shënimit të fletës së votimit. Edhe votimi i diasporës, përkatësisht ndryshimi i mënyrës së votimit të diasporës, të mbetet si deri tani në të gjitha përfaqësitë diplomatike dhe konsullore”, deklaroi Filipçe
Kryeministri Mickoski thotë se për Kodin Zgjedhor do të diskutohet atëherë kur partitë opozitare të ulen dhe të dakordohen për një zgjidhje të përbashkët.
“Unë pres një qëndrim të përbashkët, kështu edhe e përfunduam atë situatën e mëparshme, do të thoja sfiduese, me një qëndrim të përbashkët nga opozita e bashkuar, Levica, LSDM-ja dhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Kur të kenë një qëndrim të përbashkët si opozitë e bashkuar, ne jemi të gatshëm të ulemi të bisedojmë dhe të gjejmë një zgjidhje të përbashkët”, tha Mickoski
Ndërkohë, çështjen e Kodit Zgjedhor e ngritën sërish nga Levica në takimin e sotëm koordinues me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi. Nga kjo parti thonë se, nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, ato duhet të mbahen me Kod Zgjedhor të ndryshuar.
“Një njësi zgjedhore është një çështje e nevojshme që është paralajmëruar nga të gjitha qeveritë në Republikën e Maqedonisë gjatë 10 viteve të fundit. Propozuam të hiqet reklamimi politik me pagesë, sepse sistemi ekzistues vërtet i shpërndan në mënyrë të padrejtë mjetet, ndërsa nga ana tjetër krijohen shpenzime shtesë enorme për Buxhetin e Republikës së Maqedonisë”, tha Rexhep Ismail.
Kodi Zgjedhor mbeti e vetmja detyrë e papërmbushur nga agjenda e reformave, pasi partitë opozitare nuk u pajtuan me tekstin e propozuar nga pushteti, në të cilin ishte përfshirë votimi i diasporës në mënyrë elektronike ose përmes postës. Për këtë arsye, ai mbeti i bllokuar në Kuvend
