Një grabitje e armatosur ka ndodhur në zemër të Parisit, ku katër persona të maskuar dhe të pajisur me kallashnikovë kanë sulmuar një argjendari luksoze, në një nga zonat më të njohura të kryeqytetit francez.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:15 të së enjtes, pranë sheshit Place Vendome, një zonë e njohur për dyqanet dhe argjendaritë luksoze.
Pamjet filmike nga vendngjarja tregojnë disa prej grabitësve të maskuar, të armatosur me kallashnikovë, duke qëndruar jashtë dyqanit dhe duke vëzhguar zonën, ndërsa përreth tyre kalonin dhjetëra qytetarë që nuk ishin në dijeni të asaj që po ndodhte.
Sipas raportimeve, autorët kanë vepruar brenda pak minutash, duke marrë bizhuteri me vlerë prej qindra mijëra eurosh. Pas grabitjes, ata janë larguar me motorë.
Një përfaqësues i sindikatës së policisë Alliance në Paris konfirmoi se në grabitje kanë marrë pjesë katër persona.
Policia franceze po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
