Elseid Hysaj ishte një nga lojtarët më aktivë të Shqipërisë në sfidën ndaj Izraelit, duke kontribuar si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese. Mbrojtësi kuqezi vlerësoi idetë e reja të trajnerit Rolando Maran, ndërsa komentoi edhe tensionin e krijuar gjatë ndeshjes, për të cilin kërkoi falje. Hysaj foli gjithashtu për të ardhmen e tij në nivel klubesh, duke konfirmuar se aktualisht është pa kontratë:

“Të them të drejtën kur luaj me fanellën e Shqipërisë, objektivi është të jap maksimumin deri sa të kem fuqi. Kështu do të vazhdoj derisa t’ia dal. Kemi trajner të ri, me ide të reja, ndaj disa gjëra duken si rrëmujë, por besoj se me kohën do të sistemohen. Kemi pasur vetëm 4 ditë kohë që të aplikojmë aksione mbrojtëse dhe sulmuese. Maran është pozitiv, synon të bëjë lojë më sulmuese se sa kemi bërë më parë. Shpresoj që të gjithë ta ndihmojmë në këtë proces, të jemi më mirë në ndeshjet e radhës.

Tensioni? Futbolli kështu është, unë nuk kam qejf të bëj këto skena. Në momentin që pashë lojtarin izraelit me gishtin në buzë, duke iu thënë tifozëve të pushonin, më erdhi ai impuls momenti. Kërkoj falje, janë gjëra që ndodhin në futboll. Shyqyr nuk ndodhi asgjë e rëndë.

E ardhmja ime? Jam pa kontratë, janë edhe këto dy ndeshje për këtë sezon. Kam folur me menaxherin tim, po punon, do të gjejmë situatat më të mira, më të vlefshme dhe pastaj do t’u tregoj. Për momentin nuk më ka thënë as mua diçka”.

The post Hysaj: Me Maran luajmë futboll më sulmues, në kombëtare jap gjithçka appeared first on Telesport.