Paratë evropiane që vendi duhet t’i marrë për përmbushjen e obligimeve nga agjenda reformuese do të shkojnë në buxhet, pas çka Ministria e Financave duhet t’i shpërndajë mjetet sipas resorëve. Ministrja e Arsimit Vesna Janevska pret që një pjesë e tyre t’i takojë edhe sektorit të arsimit, sepse pikërisht përmes përmbushjes së reformave në ministri, kemi marrë më së shumti para nga Plani i Rritjes në rajon. Janevska thekson se nevojiten mjete për projekte të caktuara që duhet të sjellin mjete shtesë evropiane.
“Mjetet që do t’i ndajë Bashkimi Evropian për përmbushjen e hapave nga agjenda reformuese, një pjesë e tyre shkon në buxhetin e shtetit, ndërsa sa nga ato mjete do t’i takojnë MASH-it do të vendosë ministrja e Financave. Unë besoj thellë se do të ketë mirëkuptim sepse ne kemi hapa shtesë që duhet t’i përmbushim dhe për të cilat na duhen mjete, që në të ardhmen përsëri të mund të marrim mjete nga Bashkimi Evropian”, u shpreh Vesna Janevska – ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Nga LSDM reagojnë se kanë mbetur edhe 9 ditë deri në përmbushjen e të gjitha 10 pikave të agjendës reformuese, ndërsa se pushteti nuk po ndërmerr asgjë për t’i realizuar.
“9 ditë deri në një tjetër premtim të papërmbushur. 9 ditë deri në një dëshmi të re se grupi i organizuar kriminal VMRO me qëllim po e bllokon të ardhmen evropiane të Maqedonisë. Mickoski premtoi se deri në qershor do ta përfundojë agjendën reformuese. Nga 10 pika kyçe, për dy vite janë realizuar vetëm dy, pjesërisht. Tani, për disa ditë duhej të përfundoheshin tetë. Kjo nuk është reformë. Kjo është gënjeshtër. Mickoski nuk i përmbush reformat sepse nuk dëshiron t’i përmbushë”, thonë nga LSDM.
Maqedonia ka marrë 65.7 milionë euro nga Komisioni Evropian për reformat e zbatuara në vend. Pagesa është pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes të cilit Bashkimi Evropian siguron mbështetje financiare për vendet kandidate në bazë të reformave të zbatuara.
