Futbolli dhe aktiviteti fizik u bënë pjesë e një dite të veçantë për fëmijët në Shkodër, në kuadër të aktiviteteve të Javës Evropiane të Sportit. Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër organizoi një aktivitet Grassroots, duke sjellë në fushë fëmijë të grupmoshave të vogla dhe duke u krijuar mundësinë të shijojnë futbollin përmes lojës dhe argëtimit.

Në aktivitet morën pjesë Akademia Scutari, Akademia The Door dhe Akademia Bashkimi 2019, me fëmijët që u përfshinë në lojëra dhe aktivitete të ndryshme, në një atmosferë të mbushur me energji dhe buzëqeshje.

Aktivitete të tilla në nivelin Grassroots synojnë të afrojnë gjithnjë e më shumë fëmijë me futbollin dhe sportin, duke nxitur aktivitetin fizik, një mënyrë jetese aktive dhe krijimin e një lidhjeje të hershme me sportin.

Përmes nismave të tilla, futbolli Grassroots vijon të luajë një rol të rëndësishëm në krijimin e hapësirave ku fëmijët mund të luajnë, të argëtohen dhe të zhvillojnë pasionin e tyre për futbollin.

Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër vijon angazhimin për të sjellë më shumë fëmijë pranë futbollit dhe për të promovuar sportin si pjesë të një jete aktive.

The post Java europiane e sportit, aktivitet Grassroots në Shkodër. Futbolli bashkon dhe argëton fëmijët appeared first on Telesport.