Kryeministri i Shqipërisë dhe kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama ka marrë pjesë në kremtimin e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës si kryeqytet i Tiranës, transmeton TV21.
Por edhe pse fjalimin e mbajti jashtë programit të paparaparë, Rama tha se ky përvjetor po ndodh në një paradoks pasi mungon kryetari i Tiranës, Erion Veliaj i cili ndodhet në paraburgim.
Rama ka ftuar që të respektohet edhe prezumimi i pafajësisë, ndërkohë që ka hedhur dyshime se si ka mundësi që Veliaj të përfundojë në paraburgim, ndërkaq ende nuk ka një proces gjyqësor.
Rama vlerësoi Veliajt duhet t’i lejohet ta ushtrojë detyrën e kryetarit dhe njëkohësisht, paralelisht me këtë, të përgjigjet para drejtësisë.
“Sot jemi këtu, për të kremtuar një përvjetor, 105-vjetorin e kryeqytetit dhe në të njëjtën kohë jemi në një paradoks, sepse mungon kryetari i Bashkisë, i zgjedhur nga çerek milion zgjedhës për të drejtuar kryeqytetin dhe për të realizuar një kontratë të tij dhe të forcës sonë politike për qytetarët e Tiranës. Kontrata është ndërprerë, nga dikush që unë personalisht nuk e njoh. Normalisht, kush zgjidhet ka dhe një llogari për të dhënë dhe kush zgjedhë që njeriun e zgjedhur ta marrë pa gjyq dhe ta mbyll në një dhomë paraburgimi, nuk është e qartë për mua se llogari përpara kujt jep, por mesiguri jo përpara qytetarëve që e kanë zgjedhur si kryetar të Bashkisë. Unë nuk e di dhe nuk më takon mua ta them se nëse Erioni është i pafajshëm apo është fajtor, por unë di që prezumimi i pafajësisë për një njeri të zgjedhur në krye të detyrës është jo thjesht një detyrim ndaj tij, si ndaj çdo individi nga ana e kujtdo që ka detyrën të trajtojë çështje që lidhen me drejtësinë, por është edhe një detyrim edhe ndaj atyre që e kanë zgjedhur në mënyrë që të bëhen që të dyja – edhe puna për kontratën me zgjedhësit edhe puna e drejtësisë për të nxjerr deri në fund, me proces të rregullt, me standarde demokratike të vërtetën dhe për të përcaktuar në të gjitha shkallët e gjykimit fajin apo pafajësinë e tij apo të kujtdo tjetër”, tha Rama, transmeton TV21.
