Ka dy javë që nuk janë pastruar kontejnerët e mbeturinave në Kërçovë.

Edhe kontejnerët e kaltër që u vendosën për riciklimin e plastikës, ka 2 muaj nuk janë zbrazur.

E njëjta situatë është edhe në disa fshatra të Kërçovës.

TV21 kërkoi qëndrim nga udhëheqësia e ndërmarrjes, nga ku thonë se situata është krijuar për shkak të defektit të kamionëve për mbledhjen e mbeturinave.

“Kemi defekt në dy automjete, prandaj e kemi këtë problem. Shpresoj se së shpejti do të tejkalohet”, tha Bojan Stojkoski – drejtor i NPK “Komunalec”.

Sa i takon bartjes së mbeturinave nga deponia ilegale që ndodhet në qytetin e Kërçovës, problem ky që prej vitesh është pa zgjidhje, me sa duket po përbën problem edhe për administratën aktuale komunale.
Kudo që mundohen të krijojnë një stacioni ngarkim-shkarkimi për mbeturinat, Komuna po përballet me rezistencë nga banorët.

“Në çdo anë ku u munduam që të ndërtojmë stacion ngarkim-shkarkimi, ku nuk do të deponohen mbeturina por vetëm do të ngarkohen mbeturinat ditore dhe do të dërgohen në deponi rajonale. Por për fat të keq jemi të ndaluar nga qytetarët tanë dhe ne do ta dëgjojmë zërin e tyre dhe tani për momentin me të gjitha kapacitetet me të cilat posedojmë ndamë edhe 10 milion denarë nga buxheti Komunës e paguam kompaninë e cila ka fituar tender për bartjen e mbeturinave në deponinë regjionale”, deklaroi Aleksandar Jovanovski – kryetar i Komunës së Kërçovës.

Së fundmi në dy markete në qytetin e Kërçovës janë vendosur makineri ku qytetarët do të mund të dërgojnë shishet e plastikës dhe aluminit dhe në këmbim do të marrin para ose kuponë që të mund t’i përdorin për blerje.