Në një moment të ndjeshëm të kampionatit, ku në media dhe rrjete sociale janë shfaqur aludime e komente mbi integritetin e ndeshjeve, sidomos ato të javës së 34-t të Superiores, Vllaznia ka dalë me një qëndrim të prerë publik. Përmes presidentit Alban Xhaferi, klubi shkodran ka mohuar çdo përfshirje në çdo formë marrëveshjeje që cenon garën: “Vllaznia nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e asnjë marrëveshjeje që cenon ndershmërinë e garës”.

Klubi thekson se përfaqëson një qytet me histori dhe dinjitet të madh sportiv, se çdo sukses ka ardhur dhe do të vijë vetëm përmes punës dhe meritës në fushë. Në deklaratë nënvizohet gjithashtu shqetësimi për përhapjen e dyshimeve pa prova, të cilat sipas klubit dëmtojnë jo vetëm skuadrat, por edhe vetë futbollin shqiptar dhe besimin e tifozëve.

Vllaznia iu bën thirrje mediave, opinionit sportiv dhe institucioneve të tregojnë maturi e përgjegjësi, duke theksuar se çdo pretendim duhet të mbështetet vetëm në fakte dhe të ndiqet në rrugët zyrtare. Klubi mbyll reagimin duke garantuar se do të vijojë rrugën e tij me seriozitet dhe duke folur vetëm në fushën e lojës.

The post Kampionat i kthyer në “estradë”, Vllaznia bën të ndershmen: Po dëmtojmë futbollin shqiptar dhe besimin e tifozëve appeared first on Telesport.