Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se janë konfiskuar përkohësisht gjashtë automjete dhe një banesë në pronësi të Aleksandar Lazarovit nga Koçani, për shkak të dyshimeve se pasuria është fituar me veprimtari kriminale.

Sipas njoftimit të MPB-së, pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra nga SPB Koçan në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike të Koçanit, përveç provave që lidhen me veprën penale sipas nenit 215, paragrafi 1 të Kodit Penal, janë siguruar edhe prova të shumta që krijojnë dyshime të bazuara se Lazarovi disponon pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme të fituar në mënyrë të paligjshme.

Me vendim të Gjykatës Themelore në Koçan janë caktuar masa të përkohshme sigurie, duke u konfiskuar përkohësisht gjashtë vetura të markave Jeep, Porsche, Volkswagen, Audi, BMW dhe Passat, si dhe një banesë.

MPB bën të ditur se SPB Koçan vazhdon hetimet dhe aktivitetet për të verifikuar ligjshmërinë e pasurisë së fituar.

Aleksandar Lazarovi u arrestua një ditë më parë, pasi paraprakisht ishte arratisur nga Stacioni Policor në Koçan.