Qytetarët e Kosovës janë duke votuar në zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare të dielën, të tretat në rreth 16 muaj, pasi asnjë parti nuk ka qenë në gjendje të fitojë shumicë të fuqishme për ta nxjerrë vendin nga kriza politike.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe pritet të mbyllen në orën 19:00, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në ueb-faqen e KQZ-së bëhet e ditur se, deri në orën 17:00, kanë votuar rreth 28 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha më herët në një konferencë për media se procesi zgjedhor është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë incident në 38 komunat e vendit.

“Sipas të dhënave të fundit nga komisionet komunale, qendrat e votimit po funksionojnë normalisht në gjithë vendin. Procesi zgjedhor po zhvillohet qetë dhe pa asnjë pengesë që do të mundë ta cenonte mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha Radoniqi.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka angazhuar mbi 100 prokurorë të shtetit dhe staf mbështetës të sistemit prokurorial po qëndrojnë kujdestarë për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Më shumë se 900 kandidatë nga 17 parti politike dhe tri koalicione po garojnë për ulëse në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120 deputetë.

Ndërkohë, udhëheqësit politikë bënë thirrje për dalje sa më të madhe në zgjedhje dhe proces të qetë e demokratik.