Kosova do të mbajë zgjedhje parlamentare të dielën, të tretat për vetëm 15 muaj, pasi partitë politike dështuan të arrinin kompromis për zgjedhjen e presidentit të ri.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka bërë të ditur se në garë zgjedhore janë 22 parti politike dhe tre koalicione parazgjedhore. Partia fituese e zgjedhjeve të fundit, Vetëvendosja, garon në koalicion me tri parti të vogla, me Guxo, Alternativa dhe Partinë Shqiptare Demokristiane. Partitë e tjera kryesore shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), garojnë të vetme në zgjedhje.
E vetme në zgjedhje garon edhe Lista Sërpska, që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Pjesë e garës është edhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tashmë i prin listës për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pjesë e së cilës ishte para mandatit presidencial edhe vetë Osmani.
Nuk janë kryer anketa të opinionit kohët e fundit, por analistët parashikojnë sërish fitore për partinë Vetëvendosje të Kryeministrit Albin Kurti. Megjithatë, ai do të duhet të arrijë kompromis me partitë opozitare për të siguruar shumicën prej dy të tretave të nevojshme për të zgjedhur presidentin.
Partia e Kurtit fitoi 51.1% të votave në zgjedhjet e fundit në dhjetor, por nuk arriti të merrej vesh me partitë e tjera për një kandidat për president duke shkaktuar shpërndarjen e parlamentit në prill dhe zgjedhje të tjera të parakohshme.
Çështjet që dominuan fushatën parazgjedhore ishin ekonomia, papunësia, pensionet, çmimet, dialogu me Serbinë dhe procesi i integrimit evropian.
Analistët politikë, mbajtjen kaq shpesh të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë e vlerësojnë të dëmshme sa i përket zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian, ndërsa fajin ua hedhin partive politike të cilat sipas tyre kanë dështuar të ndërtojnë klimë konsensusi për vendime kombëtare.
Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Koshta gjatë vizitës në Prishtinë pak ditë më parë porositi aktorët politikë që integrimin evropian ta vendosin si prioritet përtej ndasive politike dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët. Ai tha se Kosovës i nevojiten institucione të forta, stabile dhe funksionale, të afta për të zbatuar reforma dhe për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian.
The post Krizë politike në Kosovë? Qytetarët votojnë për herë të tretë në 15 muaj appeared first on Alsat.
