Gazetar: Avni Tahiri
Në kalimin ilegal të Bit-Pazarit, do të vendosen kangjella dhe me këtë do të mbyllet përfundimisht ky vend kalim i rrezikshëm për qytetarët. Kreu i Qytetit të Shkupit Orce Gjorgievski tha se kjo do të bëhet pavarësisht kërkesave të disa qytetarëve për legalizimin e tij. Ndërkohë, qytetarë të anketuar nga Alsat shprehen të prerë se për këtë vendkalim duhet gjetur zgjidhje, pasi mbikalimi aty nuk është i përshtatshëm për kalim e sidomos për më të moshuarit.
”Jo, nuk duhet të mbyllet. Edhe në Karposh 4 është e ngjashme ku ka edhe urë por edhe vendkalim. Duhet të vendosen semaforë dhe kështu do të hiqet rrëmuja” – tha një qytetar.
”Nuk duhet të mbyllet sepse ura është shumë e lartë dhe të moshuarit nuk mund të ngjiten. Unë mendoj se këtu duhet të vendosen semaforë.”- tha një qytetar.
”Nëse pyetem unë, duhet të mbyllët. Alternativë? Ja, ura. – tha një qytetar.
”Zgjidhje vetëm vendosja e semaforëve, pasi këtu është shumë vend i frekuentuar” – tha një qytetar.
Sipas kryetarit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, në ditët në vijim do të largohen të gjitha objektet ilegale që ndodhen në zonën ku ndodhet vendkalimi ilegal e më pas do të vendosen edhe kangjella tek vendkalimi.
“Do të largohen të gjitha objektet ilegale që ndodhen atje dhe më vonë do të mbyllet dhe vendkalimi ilegal. Kishte kërkesa nga qytetarët e asaj pjese të qytetit që ta legalizojmë atë vendkalim por jemi kategorik që ai vend duhet të mbyllet, edhe për arsye të sigurisë së qytetarëve është më mirë ashtu të jetë por edhe për shoferët”- tha Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit.
Ura që ndodhet afër vendkalimit ilegal në Bit-Pazar, për momentin është e mbyllur. Nuk dihet nëse pas mbylljes së kalimit ilegal do të largohet edhe ura apo do të vihet në funksion për kalimtarët. Deri tani të paktën tre viktima dhe shumë aksidente trafiku kanë ndodhur pikërisht në vendin ku ndodhet vendkalimin ilegal në Bit-Pazar. /Alsat.mk.
The post Kur pritet të mbyllet vendkalimi ilegal në Bit Pazar? appeared first on Alsat.
