Gazetar: Angell Dimovski
Greqia po vendos masa të reja për zvogëlimin e rrëmujave në kufijtë me Maqedoninë. Autoritetet greke kanë miratuar pako masash të reja për lehtësimin e komunikacionit dhe uljen e pritjeve të gjata në pikat kufitare Bogorodicë–Evzoni dhe Dojran, në prag të sezonit veror. Vendimet janë marrë në mbledhjen e djeshme, ndërsa fokusi ka qenë në forcimin shtesë të sistemeve informatike për realizim më të shpejtë të kontrolleve, si dhe në mundësinë e vendosjes së zgjidhjeve të përkohshme teknike për lehtësimin e qarkullimit të udhëtarëve dhe automjeteve.
Shkak për këto masa është vendosja e sistemit të ri EES, i cili tashmë po krijon kolona kilometrike dhe pritje disaorëshe në pikat kufitare drejt Greqisë. Bëhet fjalë për një sistem që parashikon kontroll elektronik dhe biometrik të udhëtarëve, procedurë që zgjat më shumë sesa vulosja klasike e pasaportave që është përdorur deri më tani. Për qytetarët që hyjnë për herë të parë në një vend të Bashkimit Evropian, nevojiten regjistrimi, kontrolli biometrik dhe regjistrimi elektronik, gjë që e ngadalëson edhe më shumë qarkullimin në kufi.
Në takimin në Selanik, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, policisë dhe pushtetit lokal, zëvendësministri Konstantinos Gulekas theksoi se rritja e qarkullimit turistik dhe tregtar, së bashku me kontrollet e reja biometrike të BE-së, po krijojnë vonesa shtesë në kufi.
Ai nënvizoi se qëllimi është koordinim më i mirë mes shërbimeve, ndërsa masat e dakorduara – forcimi i sistemeve informatike dhe zgjidhjet e mundshme të përkohshme teknike – do të fillojnë të zbatohen menjëherë.
Ministri grek për Mbrojtjen e Qytetarëve, Mihalis Hrisohodis, ka deklaruar se Greqia është e obliguar ta zbatojë rregullativën evropiane, duke shtuar se ka marrë reagime edhe nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Sipas tij, problemi qëndron si te kontrollet biometrike, ashtu edhe te infrastruktura e vjetëruar e pikave kufitare. /Alsat.mk
The post Lajm i mirë për pushuesit: Greqia shkurton procedurat në hyrje appeared first on Alsat.
