LSDM drejtoi akuza për korrupsion dhe parregullsi në procedurën e prokurimit për autobusë të rinj për nevojat e kryeqytetit. Jon Frçkovski nga kjo parti akuzoi qeverinë se, ndërsa qytetarët përballen me pritje të gjata dhe autobusë të amortizuar, fokusi ka qenë tek manipulimet me tenderë dhe marrëveshje milionëshe. Sipas tij, tenderi për 150 autobusë dështoi sepse autoritetet favorizuan një ofertë më të shtrenjtë, edhe pse ekzistonte një tjetër rreth 12 milionë euro më e lirë.

“Ky dokument që po e mbaj në duar është edhe një konfirmim për qëllimin që kanë pasur. Kjo është një ankesë zyrtare drejtuar Ministrisë së Transportit, e cila qartë dhe pa asnjë dilemë e konfirmon tezën tonë: marrja e kompetencave për furnizimin me autobusë nuk ishte për ta ndihmuar Shkupin, por për të zgjedhur një kompani të marrë vesh paraprakisht, të afërt me partnerin e tyre politik Viktor Orban”, tha Jon Frçkoski nga LSDM.

Nga ana tjetër VMRO-DPMNE pushtet pretendon se dokumenti i publikuar nga LSDM është i falsifikuar, pasi Ministria e Jashtme e SHBA-së nuk ekziston, por Departamenti i Shtetit. Partia në pushtet akuzoi LSDM-në për përhapje të dezinformatave lidhur me anulimin e tenderit.

“Ata mendojnë se me gënjeshtra dhe përhapje gënjeshtrash, dikush do t’i besojë. Fotografia në të cilën ata gjoja “zbuluan” diçka është një falsifikim dhe marrëzi e rëndë. Mund të shihet qartë në letrën që i shkruan vetes në Qendrën për Gënjeshtra të LSD-së, se personi që paraqiti ankesën – “do të informojë Shtëpinë e Bardhë dhe Ministrinë e Jashtme të SHBA-së”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Përndryshe, Komisioni Shtetëror për Ankesa në Prokurimet Publike anuloi tenderin për blerjen e autobusëve elektrikë dhe karikuesve, ku fitues ishte konsorciumi hungarez “Elektrobus – Ikarus” dhe kompania austriake EVN. Ministria e Transportit njoftoi se tenderi do të rishpallet së shpejti sipas ligjit. Tenderi parashikonte furnizimin me 150 autobusë elektrikë dhe 75 karikues, me çmim rreth 314 mijë euro për autobus.