Gazetar: Angel Dimovski
Mbyllje e fabrikave të tekstilit, largime nga puna dhe ulje të pagave. Lufta në Lindjen e Mesme po e godet rëndë industrinë e tekstilit. Kryetari i Sindikatës së Industrisë së Tekstit, Lupço Radovski, në një deklaratë për Alsat thekson se për shkak të konfliktit, shumë vende evropiane po i anulojnë porositë e tyre dhe po orientohet drejt tregjeve aziatike, ku fuqia punëtore është më e lirë.
“Tashmë jemi nën goditjen më të madhe, sepse vendet evropiane e kanë braktisur tregun tonë, pasi jemi bërë të shtrenjtë ose nuk mund t’u përgjigjemi porosive të tyre, të cilat janë transferuar në vendet aziatike, Kamboxhia, Indonezia, ku megjithatë fuqia punëtore është më e lirë dhe aty normalisht kërkojnë të kenë fitim më të lartë. Për rreth shtatë vjet, nga 50.000 të punësuar në tekstil, tani kemi rreth 25.000, me tendencë rënieje, pasi çdo ditë shohim anulime të porosive nga vendet evropiane, sepse edhe atje aktualisht ka krizë”,deklatoi Lupço Radovski, Kryetar i Sindikatës së Industrisë së Tekstilit.
Lufta në Lindjen e Mesme i shtoi “benzinë zjarrit” gjendjes edhe ashtu të përkeqësuar, deklaroi për Alsat, Angell Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve.
“Një nga arsyet është rënia e kërkesës për produkte tekstile në shtetet e Evropës Perëndimore, fillimisht në Gjermani si partneri ynë më i madh tregtar. Arsyeja e dytë është rënia e konkurrueshmërisë sonë si pasojë e rritjes së pagave dhe kostove totale për të punësuarit. Jemi bërë jokonkurrues në krahasim me vendet e Lindjes, ndërsa si problem i fundit u shtuan shpenzimet shtesë për transportin e materialeve nga Kina ose nga Lindja që vijnë tek ne”, tha Angel Dimitrov, Organizata e Punëdhënësve.
Sipas të dhënave deri tani, gjatë vitit të kaluar pothuajse 10 kompani tekstile kanë vënë çelësin në derë. Si punëdhënësit ashtu edhe punëtorët thonë se nevojitet mbështetje më e madhe nga Qeveria. Sektori tekstilit në Maqedoninë e Veriut vitet e fundit është përballur me katër kriza./Alsat.mk.
The post Lufta në Lindjen e Mesme godet rëndë industrinë e tekstilit appeared first on Alsat.
