Lazio reagoi si një ekip i madh pas humbjes poshtëruese 6-0 kundër Interit. Përballë një Lecce-je luftëtare deri në fund, pavarësisht se luajti me 10 lojtarë gjatë gjithë pjesës së dytë, ekipi i Baronit arriti të fitonte 2-1. Një humbje e hidhur për salentinët, të cilët gjithsesi konfirmohen si një ekip i vështirë për t’u përballur, veçanërisht pas ndryshimit të trajnerit.

Duke ndjekur filozofinë “skuadra fituese nuk ndryshohet,” Giampaolo hodhi në fushë të njëjtin formacion si kundër Monzës, javën e kaluar. Baroni riktheu Castellanos pas pezullimit dhe e vendosi atë si pikë referimi në sulm, mbështetur nga një treshe me Isaksen, Dia dhe Zaccagni.

Që në minutat e para, u bë e qartë që Lecce dhe Lazio ishin të vendosura të përballeshin hapur, pa shumë taktika mbrojtëse. Lecce u tregua e aftë në ndalimin e iniciativave të Lazios, por edhe në krijimin e manovrave të mira sulmuese me shumë lojtarë. Mundësia më e mirë për Lecce erdhi në minutën e 15-të me një gjuajtje nga distanca të Morente, që u ndalua nga Provedel.

Lazio, nga ana tjetër, intensifikoi presionin me kalimin e minutave dhe iu afrua golit në minutën e 30-të me një rast të mirë nga Isaksen, pas një pasimi perfekt të Castellanos. Në minutën e 43-të, edhe Castellanos pati një mundësi të artë, por nuk arriti të shënojë. Përpjekjet e Lazios u shpërblyen në sekondat e fundit të pjesës së parë.

Rovella dërgoi një pasim të shkëlqyer për Castellanos, i cili goditi portën, por Falcone arriti ta ndalonte. Taty e provoi përsëri, por Guilbert shpëtoi në vijën fatale, duke prekur topin me dorë. Arbitri dha penallti dhe karton të kuq për mbrojtësin e Lecce. Castellanos ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë, duke çuar Lazion në avantazh në pushim.

Goditja e dyfishtë e golit të pësuar dhe inferioritetit numerik mund ta kishte gjunjëzuar ekipin e Giampaolo, por Lecce reagoi në mënyrë të jashtëzakonshme. Në minutën e 50-të, pas një topi të kthyer nga Guedouzi, Morente gjuajti fuqishëm nga jashtë zonës dhe mposhti Provedel, duke barazuar rezultatin.

Me rezultatin 1-1 dhe një lojtar më pak, Lecce u fokusua kryesisht në mbrojtjen e këtij barazimi të çmuar. Lazio, nga ana tjetër, sulmoi pa ndalim dhe mendoi se e kishte gjetur golin e avantazhit në minutën e 64-t me Dia. Megjithatë, goli u anulua për pozicion jashtë loje të Castellanos në fillim të aksionit.

Baroni bëri disa zëvendësime, duke sjellë freski në ekip, ndërsa Lazio vazhdoi të kërkonte fitoren. Kur të gjithë prisnin që Pedro, i futur në lojë në vend të Dia, të bënte diferencën, ishte Marušić që në minutën e 87-të shënoi një gol të bukur diagonal, pas një topi të kthyer nga Morente, duke rikthyer avantazhin për Lazion.

Lecce provoi një sulm final dhe ishte shumë afër barazimit në kohën shtesë, kur Kaba goditi traversën, ndërsa Pierotti dështoi të përfitonte nga një mundësi e artë për ta shtyrë topin në rrjetë.

Kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme për Lazion, që reagoi në mënyrën më të mirë pas një humbjeje të rëndë dhe ruajti ekuilibrin e krijuar gjatë këtij fillim sezoni. Lecce, edhe pse humbi, tregoi një lojë dinjitoze dhe me këtë nivel paraqitjeje, duket se mbijetesa në Serie A është një objektiv plotësisht i arritshëm.

Kliko për golat e ndeshjes – LECCE-LAZIO 1-2

The post Marusic hyn në fund dhe i jep fitoren Lazios. Shpirti luftarak i Lecce me 10 lojtarë nuk mjafton appeared first on Telesport.