Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Javën e ardhshme mbahen provimet eksterne të maturës për mbi 14.500 nxënës që përfundojnë arsimin e mesëm. Sipas ndryshimeve të fundit në ligj, këtë vit maturantët do të japin tre lloje maturash: shtetërore, profesionale dhe artistike, me programe provimi të përgatitura nga Qendra Shtetërore e Provimeve në bazë të planprogrameve të katër viteve të shkollimit.

Prej 14.587 nxënësve të paraqitur për maturë, 12.184 janë regjistruar për maturë shtetërore, 2.276 për maturë profesionale shtetërore dhe 127 për maturë artistike shtetërore.

Nxënësit e gjimnazeve japin vetëm maturë shtetërore, me 5.713 kandidatë të regjistruar. Edhe nxënësit e shkollave profesionale dhe artistike mund të zgjedhin mes maturës shtetërore dhe asaj profesionale apo artistike. Nga 8.629 nxënës të shkollave profesionale, 6.353 kanë zgjedhur maturën shtetërore dhe 2.276 atë profesionale. Ndërsa nga 245 nxënës të shkollave artistike, 118 japin maturë shtetërore dhe 127 maturë artistike.

Kandidatët që kanë zgjedhur maturën shtetërore do të japin  gjuhë të huaj  ose matematikë, ndërsa për maturën artistike zgjedhja është ndërmjet gjuhës angleze ose historisë.

Për gjuhën angleze janë paraqitur 13.208 kandidatë: 11.017 për maturë shtetërore, 2.107 për profesionale dhe 84 për artistike.  Gjuhët e tjera të huaja i zgjedhin vetëm nxënësit e maturës shtetërore: frëngjisht 20, gjermanisht 52, rusisht 7 dhe italisht 2.

Provimin e detyrueshëm ekstern të gjuhës amtare si maqedonisht, shqip, turqisht ose serbisht dhe letërsi  e japin të gjithë nxënësit. Ata që janë regjistruar për maturë shtetërore do ta japin provimin më 11 qershor, ndërsa kandidatët për maturë profesionale dhe artistike do ta japin më 12 qershor.

Gjuhë dhe letërsi maqedonase do të japin 9.810 nxënës, shqipe 4.199, turke 360 dhe serbe pesë kandidatë.

Për realizimin e provimeve do të angazhohen rreth 2.500 testues dhe rreth 200 vëzhgues. Përveç provimeve eksterne, nxënësit do të japin edhe provimin e dytë dhe të tretë zgjedhor, në përputhje me Konceptin për provimet përfundimtare të arsimit të mesëm. /Alsat.mk

The post Mbi 14 mijë maturantë javën e ardhshme i nënshtrohen provimeve eksterne të maturës appeared first on Alsat.