Gazetar: Zekirija Haxhiu

Kryeministri Hristijan Mickoski ironizon me daljen e ulët të bullgarëve që jetojnë në Maqedoni, për të votuar në zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në Bullgari. Siç theksoi Mickoski, edhe pse Radev pohonte se në vendin tonë jetojnë mbi 200 mijë bullgarë, në zgjedhje kanë dalë vetëm 250.

“Pres që qytetarët bullgar të cilët votojnë në Bullgari do të zgjedhin kryeministër i cili do të jetë i orientuar qartë drejt Evropës, për marrëdhënie të mira ndër fqinjësore dhe në vend të çështjeve bilaterale do të përkushtohet në vlerat e vërteta themelore evropiane të definuara nga Adenauer, Shuman dhe De Gasper dhe si shtet i Bashkimit Evropian do të jetë promovues i kritereve të Kopenhagës e jo të kontesteve bilaterale për të cilat tani duhet të përgjigjen e që burojnë nga mesjeta”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se as këto zgjedhje në Bullgari nuk mund të prodhojnë një Qeveri stabile. Ish-ambasadori Vasko Naumovski tha për Alsat se nuk do të ketë atmosferë të mirë për dialog mes dyja vendeve
“Nëse formohet shumicë me udhëheqjen e ish presidentit Radev, atëherë pres qëndrime madje më të rrepta. Nuk jam shumë optimist se pas zgjedhjeve do të mundësohet atmosferë më e mirë për dialog mes dy shteteve e ku do të mundeshim të bëjmë hap përpara në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme të përbashkët. Nëse gjendet ndonjë mënyrë e vendosjes në Bashkimin Evropian, respektivisht të pa mundësohet që një shtet anëtar të bllokojë një shtet kandidat me kushte që nuk janë pjesë e kritereve të Kopenhagës, atëherë mund të presim përparim”, tha Vasko Naumovski – Ish ambasador në SHBA.

Që nga viti 2021, Bullgaria ka pasur parlamente të fragmentuara që kanë prodhuar qeveri të dobëta, e që asnjëra prej tyre nuk ka arritur të mbijetojë më shumë se një vit para se të rrëzohej nga protestat në rrugë ose nga marrëveshjet e fshehta në Parlament./Alsat.mk.

The post Mickoski ironizon me Bullgarinë, vetëm 200 vota nga Maqedonia appeared first on Alsat.