Forcimi i partneritetit strategjik mes Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bashkëpunimi ekonomik dhe investimet, si dhe siguria dhe stabiliteti i rajonit, kanë qenë disa nga temat e bisedës mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, Christopher Landau, në Nju Jork.
Në takim kanë marrë pjesë edhe Brendan Hanrahan, ndihmëssekretar i Shtetit për Evropën, dhe Daniel Lawton, zëvendësndihmëssekretar i Shtetit për Evropën, në fushën e përgjegjësisë së të cilit përfshihen edhe vendet e Ballkanit. Takimi është pjesë e serisë së kontakteve të Mickoskit me zyrtarë të lartë amerikanë gjatë qëndrimit të tij në SHBA.
Sipas njoftimit të kryeministrit, gjatë bisedimeve është diskutuar për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit në disa fusha, zhvillimin ekonomik dhe investimet, sigurinë dhe stabilitetin rajonal, si dhe rolin e Maqedonisë si anëtare e NATO-s.
Mickoski ka vlerësuar se komunikimi i drejtpërdrejtë në nivel të lartë politik është i rëndësishëm për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me SHBA-në, të cilën e ka përshkruar si partnere dhe aleate strategjike shumëvjeçare.
“Maqedonia sot paraqitet me interesa shtetërore të qarta dhe me përcaktimin që këto interesa t’i përfaqësojë me dinjitet dhe argumente para partnerëve të saj”, ka shkruar Mickoski në Facebook.
Ai ka shtuar se synimi është që marrëdhëniet të ndërtohen mbi bazën e respektit të ndërsjellë, besimit dhe bashkëpunimit konkret, i cili, siç thekson, duhet të sjellë rezultate për qytetarët dhe shtetin.
Kryeministri ka theksuar gjithashtu se takimet me administratën amerikane mundësojnë që qëndrimet e Maqedonisë të prezantohen drejtpërdrejt në diskutimet për çështjet rajonale dhe globale.
“Politika jonë është politikë e dinjitetit, parimeve dhe mbrojtjes së interesave shtetërore. Miqësitë nuk ndërtohen me fjalë, por me besim. Partneritetet nuk maten me protokoll, por me vepra”, ka shkruar Mickoski.
Takimi me Landau vjen pas bisedës që Mickoski zhvilloi me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në Nju Jork.
