Gazetar: Angell Dimovski

Mjekë të specializuar nga vendi, të cilët janë larguar për të punuar në vendet evropiane, do të mund të japin mendime për trajtimin e pacientëve në vend. Projekti është në fazë testimi kurse qëllimi është përmirësimi i sistemit shëndetësor dhe tejkalimin e mungesës së kuadrit mjekësor.

Nga Oda e Mjekëve thonë se telemjekësia nuk është diçka e re dhe përdoret në të gjithë botën. Njëkohësisht e mbështesin projektin, por theksojnë se prioritet duhet të mbetet punësimi i mjekëve të rinj.

“Oda në parim mbështet të gjitha reformat që nënkuptojnë përmirësim të mbrojtjes shëndetësore në vendin tonë, por mbi të gjitha mbështesim përpjekjet për punësimin e mjekëve të rinj dhe krijimin e mundësive për avancimin e tyre profesional, pasi ata mund të japin kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e sistemit tonë shëndetësor. Presim në periudhën e ardhshme ministria të japë më shumë detaje rreth projektit për të cilin do të mund të japim komente konkrete”, thanë nga Oda e mjekëve.

• Oda në parim mbështet të gjitha reformat.
• Mbi të gjitha mbështesim përpjekjet për punësimin e mjekëve të rinj.
• Presim në periudhën e ardhshme ministria të japë më shumë detaje.

Sipas qytetarëve, mjekët nga jashtë nuk mund të japin një diagnozë përfundimtare por se atë duhet ta bëjnë mjekët vendas.

“Shteti e bën këtë sepse nuk ka mjaftueshëm mjekë dhe nuk ka cilësi të mjaftueshme; dëshiron që nga jashtë t’i trajnojnë këta tanët që trajtimi të jetë më i suksesshëm. Kjo është arsyeja, sepse nëse do të kishim mjekë tanët këtu, nuk do të kishim nevojë të kërkonim nga jashtë”, tha një qytetar.

“Ata mund të japin mendim, por duhet t’u dërgosh imazhe – si rreze X ose ultrazë, diçka të incizuar, dhe mund të japin mendim mbi bazën e tyre dhe analizave laboratorike. Por vizita mbetet vizitë. Pra, mund të shërbejë për konsultime, por jo për gjithçka”, thotë një qytetar tjetër.

Qytetarët thonë se mungesa e mjekëve vërehet qartë.

“Sinqerisht, asgjë… nuk kanë qasje ndaj pacientëve, nuk ka kontrolle, nuk ka asgjë, vetëm bisedë dhe kaq. Thonë, s’ke gjë“, u shpreh qytetari.

“Nëse shëndetësia ka ndonjë interes, kryen punë, nëse jo, duhet të presësh me ditë”, tha një qytetar tjetër.

“Për shëndetësinë duhet të punohet shumë më tepër” , theksoi një qytetar.

Projekti është tashmë në fazën fillestare të zbatimit dhe më parë është zhvilluar komunikim me përfaqësues të komunitetit akademik, ku sipas ministrit Azir Aliu disa prej tyre kanë shprehur gatishmëri për t’u përfshirë, madje edhe pa kompensim financiar. Telemjekësia aktualisht po pilotohet në Dibër dhe Dellçevë, ku shërbimet shëndetësore ofrohen nga distanca me mbështetje nga stafi mjekësor nga Shkupi.

Përmes këtyre zgjidhjeve, specialistët nga Diaspora do të mund të japin mendime profesionale për rastet që trajtohen në institucionet shëndetësore në vend.

Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë zhvillon projekte për përfshirjen e mjekëve nga Diaspora, mjekët vendas gjithnjë e më pak e shohin vendin si opsion për punë. Sipas të dhënave të fundit, rreth 250 mjekë në vit largohen nga vendi dhe braktisin sistemin publik shëndetësor./Alsat.mk.

The post Mjekët e diasporës do të përfshihen në trajtimin e pacientëve përmes telemjekësisë appeared first on Alsat.