Ai ishte protagonisti i madh në Milan-Juventus, lojtari më i shumëpritur nga tifozët kuqezinj, të cilët shpresonin që ta ndëshkonte edhe “Zonjën e Vjetër”, pasi kishte shënuar kundër ish-skuadrës tjetër të tij, Real Madridit. Alvaro Morata, megjithatë, para një jave thuajse nuk u pa fare në fushë. Plotësisht i neutralizuar nga dyshja Kalulu-Gatti, por jo vetëm për shkak të gabimeve të tij.

Tani është ndeshja Milan-Empoli, një tjetër mundësi që nuk duhet humbur dhe shans i shkëlqyer për të thyer një tabu, që po bëhet gjithnjë e më e rëndë. Për të sfiduar ata që thonë se puna e madhe e kërkuar nga Fonseca e largon spanjollin nga zona e golit.

Ndoshta është shumë për një lojtar që duhet të luajë si “9”, edhe pse mban numrin 7 mbi supe. Natyrshëm lind pyetja: Si po shkon Morata te Milani? A është Morata një “9” i vërtetë? Në realitet, nganjëherë spanjolli duket më shumë si një mesfushor i shtuar sesa sulmues në Milanin e Fonseca, ose të paktën një lojtar që luan për të krijuar raste për të tjerët.

Nuk është rastësi që paraqitjet e tij më të mira kanë ardhur kur pranë ka pasur një sulmues më fizik si Abraham. Kur është thirrur të përballet vetë me mbrojtjet kundërshtare, e ka pasur të vështirë të jetë i rrezikshëm, megjithëse ndihmon shumë ekipin me lojën e tij kombinative. Këto cilësi janë shumë të vlerësuara nga Fonseca dhe ishin arsyeja pse Milani e zgjodhi atë për të zëvendësuar Giroud.

Përpara ndeshjes Milan-Juventus, Zlatan Ibrahimovic kishte thënë për DAZN se Morata nuk është një bomber që shënon “50 gola në sezon”: “Ne jemi shumë të kënaqur, e dinim çfarë do të sillte te Milani. Është një lojtar ekipor, që nuk shënon 50 gola në vit, por ndihmon shokët. Po ashtu është një lider, që e ndihmon ekipin edhe jashtë fushës”.

Për këtë arsye, në ditët e fundit të merkatos, Milani kërkoi një sulmues tjetër me karakteristika më të ngjashme me ato të Giroud. Morata nuk është një goleador dhe statistikat e këtij sezoni e konfirmojnë këtë. Ai nuk ka shënuar në kampionat prej dy muajsh. Në 13 paraqitje mes Serie A dhe Ligës së Kampionëve ka shënuar vetëm 3 gola, i fundit prej tyre në Madrid.

Në krahasim, Vlahovic, i kritikuar shumë, ka shënuar 9 gola në 16 paraqitje, ndërsa Thuram i Interit ka arritur tashmë shifra dyshifrore. Në javët e fundit, Morata u ngadalësua nga një goditje e rëndë në kokë, përpara ndeshjes ndaj Cagliari, gjë që e bëri të humbiste udhëtimin në Sardenjë, por nuk mjaftoi për ta shpëtuar nga grumbullimi me kombëtaren spanjolle. Kjo shkaktoi polemika mes Fonseca dhe trajnerit De La Fuente.

Aktualisht, e vetmja alternativë reale ndaj Morata për Fonseca është Abraham. Në Bratislavë, anglezi e zëvendësoi më së miri kolegun e tij të repartit, duke dhënë asist për Pulisic dhe shënuar golin e tretë të fitores ndaj Slovan. Megjithatë, kundër Empolit, Tammy Abraham pritet të qëndrojë në stol, duke i dhënë Moratës një tjetër shans për të gjetur golin e munguar.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes Milan-Empoli, Fonseca u pyet për mundësinë që Abraham dhe Morata të luajnë së bashku: “Është një mundësi që e kam në mendje. Mund të luajmë me dy sulmues kundër ekipeve që na lejojnë të kemi avantazh”.

Me Jovic jashtë projektit për shkak të një pubalgjie të bezdisshme, shpresa e Milanit është që Camarda të zhvillohet më shpejt. Për këtë arsye, të paktën për momentin, nuk priten ndërhyrje në merkato për një tjetër sulmues në janar.

The post Morata në kërkim të golit të munguar, nuk ka shënuar në Serie A prej dy muajsh appeared first on Telesport.