Radja Nainggolan ka rrëfyer largimin e tij nga Roma dhe kalimin tek Interi, duke folur për marrëdhëniet me Monchi, Spalletti dhe Conte: “Ishte një zgjedhje e Monchi, drejtorit sportiv, i cili bëri lojë të dyfishtë. Më kërkonte këshilla se si të ndërhynim në merkato, ndërkohë që negocionte për të më shitur.
Nga njëra anë e kuptoja logjikën; donte të shpërbënte grupin e krijuar nga Walter Sabatini për të ndërtuar një skuadër sipas ideve të tij. Të njëjtin sistem përdori edhe me Dzeko, të cilin tentoi ta shiste te Chelsea. Ne sapo kishim ardhur nga gjysmëfinalja e Champions League kundër Liverpool-it, ishim skuadër dhe ndienim se mund të rriteshim. Megjithatë…”
Për kalimin tek Interi nën drejtimin e Spallettit, belgu tha: “Duhet ta falënderoj, sepse me të shkrova faqet më emocionuese të karrierës sime. Është për të ardhur keq që pas vitit të parë gjërat nuk funksionuan. Pagova edhe largimin e Spallettit.
Conte më komunikoi menjëherë se nuk isha pjesë e projektit. Ndryshe nga Monchi, Antonio ishte i drejtpërdrejtë me mua dhe unë e respektova vlerësimin e tij. Conte më donte te Chelsea? Nuk e di, ndoshta nuk i kishte kaluar inati për refuzimin tim… Nuk ishte i vetmi; për të qëndruar te Roma, i thashë jo edhe një oferte kolosale nga Kina”.
The post Nainggolan “hap barkun”: Monchi bëri lojë të dyfishtë, falënderoj Spallettin. Conte ishte i drejtpërdrejtë me mua appeared first on Telesport.
