Gazetare: Albina Ramadani

Incidenti i dy ditëve më parë, i ndalimit të zyrtarëve të VLEN-it në kufirin me Shqipërinë në Qafë-Thanë mbetet i paqartë plotësisht për opinionin. Kryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, sot  deklaroi se nesër së bashku me kryesinë e  VLEN-it do të udhëtojnë drejtë Tiranës për një kafe, për të hedhur poshtë akuzat e BDI-së. Ai akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim se po e nxit Shqipërinë për prishjen e raporteve me VLEN-in dhe se po keqpërdor institucionet në Shqipëri.

“Lusim BDI që betejën politike ta vazhdojmë këtu brenda proceseve demokratike brenda kushtetutës dhe ligjeve dhe mos e involvojnë një shtet fqinj në këtë rast siç është Shqipëria. Vendosëm nesër bashkë të dalim në Tiranë të pimë një kafe dhe të tregojmë të gjithë seVLEN nuk është i interesuar për të pasur tensione me një vend fqinj, më së paku me Shqipërinë”, deklaroi Bilall Kasami, kryetari i VLEN-it.

  • Pyetje: A do të shkoni me pasaport at diplomatike?

“Jo tash shkojmë për kafe, dhe për kafe nuk na duhet pasaporta diplomatike”., theksoi Kasami.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme njoftuan se dje në një takim me një zyrtar të Ambasadës së Shqipërisë në Shkup, kanë kërkuar sqarime nga Ambasada e Shqipërisë në Shkup lidhur me rastin në pikën kufitare Qafë-Thanë.

Në frymën e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, fqinjë dhe aleatë të NATO-s, në takim u kërkua informacion zyrtar nga autoritetet shqiptare në lidhje me ngjarjen që ndodhi në pikën kufitare të Qafë Thanë, gjatë së cilës shtetasve të vendit tonë nuk u lejua të hynin në Republikën e Shqipërisë”,

njoftuan nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Një ditë më parë, institucionet shqiptare njoftuan se pasi katër persona janë paraqitur në pikën kufitare Qafë-Thanë, tre që kanë qenë me pasaporta diplomatike janë kontrolluar dhe janë lejuar të kalojnë kufirin kurse personit të katërt i është ndaluar hyrja për shkak të mungesës së dokumentacionit. Ata gjithashtu mohuan lidhjen e rastit me protestat në Tiranë.

Megjithatë, mbetet akoma e paqartë se pse tre zyrtarët e VLEN-it Adnan Azizi, Bekim Qoku dhe Hasim Murtezani u mbajtën me orë në kufij. Zërat për implikimin e tyre me protestat në Tiranë, nuk janë shuar akoma./Alsat.mk.

The post Ndalimi i zyrtarëve të VLEN-it në Qafë-Thanë, mbetet ende i paqartë për opinionin appeared first on Alsat.