Emisioni i radhës i “Në Shtëpinë e Futbollit” në FSHF TV u fokusua te Kombëtarja shqiptare dhe përgatitjet për ndeshjet në UEFA Nations League. Nën drejtimin e Lenida Halilaj, të ftuar ishin drejtori i Edukimit në FSHF, Ardi Behari, dhe gazetari sportiv Ylli Aga.

Në qendër të emisionit ishte lista e publikuar nga trajneri Rolando Maran, risitë e përfshira në ekip, mungesat dhe situata e lojtarëve të dëmtuar. Për FSHF TV folën edhe tre risitë e listës, Sabah Kerjota, Samuele Sina dhe Klevi Qefalija, duke ndarë emocionet dhe pritshmëritë e tyre për grumbullimin me Kombëtaren.

Një hapësirë e rëndësishme iu kushtua edhe kundërshtarit të parë të kuqezinjve, Bjellorusisë, me analizën e listës së lojtarëve të grumbulluar nga përfaqësuesja kundërshtare.

Në emision u rikthye edhe takimi i Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, me ekipin Kombëtar, ku kreu i Federatës përcolli mesazhin e tij për përkushtim dhe angazhim maksimal në ndeshjet e ardhshme.

“Abissnet Superiore” ishte gjithashtu pjesë e programit, me analizën e javës së pestë. Teuta regjistroi fitoren e katërt radhazi, 2-0 ndaj Vllaznisë, duke u ngjitur në krye të kampionatit. Dinamo City mposhti Laçin 3-1 dhe vijoi ecurinë pozitive, ndërsa Egnatia fitoi 2-1 ndaj Partizanit. Tirana dhe AF Elbasani u ndanë në barazim 2-2, ndërsa Vora dhe Skënderbeu barazuan 1-1.

“Në Shtëpinë e Futbollit” sjell çdo javë në FSHF TV zhvillimet kryesore të futbollit shqiptar, me fokus te Kombëtarja, kampionatet kombëtare dhe aktivitetet e FSHF-së.

The post Nga Abissnet Superiore e deri te kombëtarja dhe risitë e Maran, gjithçka që u diskutua “Në Shtëpinë e Futbollit” appeared first on Telesport.