“Nuk kam humbur asnjë seancë të vetme stërvitore, kam pasur një karrierë të rëndësishme, por në nivel njerëzor kam jetuar gjithmonë si person normal”. Një gjë për të cilën Radja Nainggolan është kujdesur gjithmonë është ndarja mes jetës brenda dhe jashtë fushës së blertë.

Belgu dëshiron të gjykohet vetëm për karrierën e tij si futbollist, megjithatë kontraversiteti i jetës e ka njollosur maksimalisht, sidomos me arrestimin e djeshëm si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që dyshohet se transportonte kokainë nga Amerika e Jugut në Europë.

Pavarësisht cilësive të padyshimta futbollistike, ish-mesfushori i Romës, Cagliari, Spal dhe Interit (që nga java e kaluar te Lokeren-Temse, me një gol në debutimin e tij) ndër vite ka përfunduar shpesh në lajme për veprimet e kryera gjatë “jetës së tij si njeri normal”.

Mes këtyre ngjarjeve, arrestimi i fundit për trafik kokaine në Belgjikë sigurisht që zë vendin e parë për sa i përket mbulimit mediatik. Pa gjykim të mëtejshëm, edhe sepse akuzat ende nuk janë konfirmuar.

Një nga episodet më të famshme është ai i ndërrimit të viteve (2017-2018), i fundit i kaluar si lojtar i Romës. Gjatë festimeve të natës, Nainggolan nisi një transmetim të drejtpërdrejtë “live” në Instagram ndërsa pinte alkool dhe cigare, shante vazhdimisht, duke rrëfyer se ishte “i dehur i vdekur”.

Një incident që vuri në siklet klubin verdhekuq, teksa vetë Radja pranoi se e kishte ekzagjeruar: “Sigurisht që nuk kisha ndërmend të jepja një shembull negativ. Prandaj ndjej se duhet të kërkoj falje për fjalët dhe sjelljen time”. Gjatë kohës te Cagliari, debatet e vazhdueshme me gruan e tij në atë kohë ishin burim diskutimi, madje edhe në rrugë, sipas dëshmitarëve të ndryshëm.

Nainggolan nuk e ka fshehur kurrë pasionin e tij për alkoolin, i cili megjithatë nuk shkon mirë me pasionin për makinat (duke përfshirë një Ferrari të shkatërruar në autostradë më 2018). Në vitin 2017, ai u kap duke drejtuar makinën në gjendje të dehur në Bruksel, pas daljes nga një klub nate.

Niveli i alkoolit në gjakun e tij u konstatua katër herë më shumë se kufiri ligjor. Belgut iu hoq patenta për një muaj, por pesë vite më vonë e bëri sërish këtë gjë. Përveç drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit, kishte edhe patentë të skaduar, ndaj policia e arrestoi.

Kryelajm u bë edhe në vitin 2015, jo për veprimet e tij, por për pamjen. Në atë kohë njerëzit kishin shumë frikë nga terrorizmi dhe dukshëm mjaftoi paraqitja e tij e veçantë me tatuazhe dhe “kreshtë” për t’u ngatërruar me një anëtar të ISIS.

Disa të ftuar në hotelin ku Radja po qëndronte në Antwerp kishin njoftuar policinë për një individ të dyshimtë dhe potencialisht të rrezikshëm, por për fat të mirë oficerët e njohën futbollistin dhe e zgjidhën keqkuptimin. Edhe atëherë, mediat belge, të cilat nuk janë treguar asnjëherë dashamirëse me të, e publikuan lajmin.

Nainggolan shpesh thotë se nuk ka humbur kurrë një seancë stërvitore, por situata është ndryshe kur bëhet fjalë për vonesat. Në dhjetor 2018 ai u pezullua nga Interi pas një vonese tjetër në seancën e mëngjesit, duke humbur disa ndeshje. Po atë verë u kap në një klub nate nga një tifoz, i cili i tha të flinte sepse duhej të stërvitej të nesërmen.

Radja iu përgjigj duke i treguar gishtin e mesit. Një seri “sharjesh”, që me shumë gjasa e penguan atë të bënte karrierë më të mirë se ajo që kishte, duke pasur parasysh talentin e jashtëzakonshëm. Sidoqoftë, belgu nuk është penduar kurrë:

“Unë kurrë nuk mund të jem një nga ata lojtarë që kanë jetë vetëm fushën. Doja të bëhesha futbollist dhe përfundova duke luajtur për Romën e Interin, duke shijuar jetën normale që kam pasur gjithmonë. Për mua është më e mira dhe nuk jam penduar kurrë për atë që kam bërë”.

Megjithatë, tifozët dhe entuziastët kanë mbetur me keqardhjen që kanë parë versionin më të mirë të Radja Nainggolan në fushë vetëm për një kohë të shkurtër (ose ndoshta asnjëherë).

The post Nga çmenduria e Vitit të Ri, akuza false për terrorizëm dhe arrestimi si trafikant dro*e, skandalet pa fund të Nainggolan appeared first on Telesport.