Gazetar: Angel Dimovski

Nga mesnata ulet çmimi i karburanteve. Komisioni Rregullator për Energjetikë ka marrë vendim që si benzina ashtu edhe dizeli të ulen për 1,5 denarë për litër, mazuti të ulet për rreth 2.9 denarë për kilogram, ndërsa vaji ekstra i lehtë për amvisëri të rritet për gjysmë denari.

Komisioni Rregullator për Energjetikë:

EUROSUPER BS-95 – 80,50 den/lit (ulet për 1,5 den/lit)
EUROSUPER BS-98 – 82,50 den/lit (ulet për 1,5 den/lit)
EURODIZEL (D-E V) – 94,00 den/lit (ulet për 1,5 den/lit)
Vaji ekstra i lehtë për amvisëri – 97,00 (rritet për 0,5 den/lit)
Mazuti M-1 NS – 46,288 den/kg (ulet për 2,939 den/kg)

Këto janë çmime maksimale, ndërsa kompanitë, nëse dëshirojnë, mund të shesin edhe me çmime më të ulëta. Zbritja nga OKTA zgjat deri në fund të këtij muaji. Kompanitë që furnizohen nga OKTA mund ta shesin benzinën për 2 denarë më lirë nga çmimi i caktuar, ndërsa dizelin për 3 denarë më lirë.

Ndërkohë, Qeveria në mbledhjen e së shtunës e riktheu normën e TVSH-së për dizelin në 18%, duke krijuar përshtypjen se nuk dëshiron të heqë dorë nga të ardhurat. Me këtë vendim, TVSH-ja që deri tani ishte 10 për qind, rikthehet në 18 për qind. Qytetarët thonë se karburantet janë shumë të shtrenjta. Sipas tyre, edhe pse autoritetet theksojnë se në vend çmimet janë më të ulëta krahasuar me rajonin, standardi i jetesës mbetet më i ulëti.

“Turp është, duhet të shohin sipas njerëzve, sipas pagave. Nuk mund të rritet menjëherë TVSH-ja në 18% për dizelin, çmimet duhet të ulen për të ndihmuar qytetarët“, tha një qytetar.

“Jo, jo, e ulin për dy denarë, e rrisin për gjashtë apo shtatë“, u shpreh një qytetar.

“Autoritetet duhet të shohin sa janë pagat dhe nëse njerëzit mund ta përballojnë këtë“, thotë një qytetare.

“Normalisht që është shtrenjtë“, u shpreh një qytetar tjetër.

Pas një rënie të shkurtër të çmimeve në bursa, sot po shënohet rritje e re. Arsyeja janë tensionet në Ngushticën e Hormuzit, pasi Irani ka paralajmëruar mbylljen e saj dhe ka kërcënuar se do të synojë anije tregtare, ndërsa forcat amerikane kanë ndaluar dhe konfiskuar një anije iraniane. Frika nga ndërprerja e furnizimit me naftë po i lëkund bursat dhe po i rrit çmimet./Alsat.mk.

The post Nga mesnata do të ketë çmime të reja të derivateve appeared first on Alsat.