Gazetar: Zekirija Haxhiu

Heshtje totale nga partitë politike në pushtet pas dështimit për të miratuar ndryshimet e kodit zgjedhor për të përcaktuar përqindjen e nënshkrimeve që duhet mbledhur nga kandidatët e pavarur. Partitë nga pushteti nuk kanë njoftuar se cilat, sipas tyre, do të ishin hapat e mëtejmë pas dështimit të djeshëm, pikërisht për shkak të badenterit. Edhe nga opozita, vetëm lavdërohen se kanë në dorë shumicën e badenterit në Kuvend por nuk ofrojnë zgjidhje. Nga LSDM, vetëm shprehin keqardhje që nuk u arrit zgjidhje dhe kanë frikë se zgjedhjet mund të kthehen në kaos.

“Para Komisionit Juridiko Ligjvënës patëm koordinim dhe të gjitha partitë përpos BDI-së, mbështetëm 0,5% për të pavarurit. Ka rrezik që zgjedhjet të shndërrohen në kaos. Duhet shumë me kujdes të shqyrtohen të gjitha aspektet juridike. Na vjen keq që u humb shansi që të vendoset kornizë e cila do të ishte e pranueshme për të gjithë”, tha Bogdana Kuzeska – Zëdhënëse e LSDM-së.

Nga ana tjetër, iniciativa qytetare “Qyteti i gjelbër human”, ndjehet e dëshpëruar për mos seriozitetin e deputetëve për të gjetur zgjidhje për të pavarurit. Ata nuk ishin të kënaqur as me përqindjen e nënshkrimeve që u propozua.

“Vazhdojmë të mbledhim nënshkrime nga të gjithë të cilët konsiderojnë se duhet t’i jepet fund hedhjes së topit mes lojtarëve të cilët mbi 3 dekada tregojnë se po luajnë kundër nesh, qytetarëve. Ndryshimet e kodit zgjedhor janë përpjekje për ulje të rreme të pragut i cili është tejet i lartë madje edhe për shtete me popullatë më të lartë se sa e jona. Kjo është edhe një përpjekje tinëzare për të përjashtuar plotësisht qytetarët nga jeta politike dhe përpjekje për të forcuar monopolin e partive të çimentuara që kanë vjedhur fjalë për fjalë shëndetin, lumturinë dhe jetën tonë për më shumë se tre dekada, e tani po na e vjedhin të drejtën për të zgjedhur”, thonë nga Qyteti i Gjelbër Human.

Kryeministri Hristijan Mickoski disa herë kur është pyetur, topin e ka hedhur te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, për të cilët thotë se duhet të japin udhëzime të reja. Nga atje, kryetari i këtij komisioni Boris Kondarko, ditë më parë tha se nëse nuk arrihet marrëveshje politike, atëherë qytetarët do të mund të kandidojnë duke mos patur nevojë të mbledhin./Alsat.mk

The post Një ditë pas dështimit të ndryshimit të Kodit zgjedhor, askush nuk ofron zgjidhje për kandidatët e pavarur për zgjedhjet lokale appeared first on Alsat.