Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili tha se Osmani ka negociuar me identitetin maqedonas në bisedimet për gjetje të zgjidhjes me Bullgarinë. Osmani thekson se procesi i integrimit evropian kërkon vendimmarrje të guximshme dhe udhëheqje të qartë. Ai vlerëson se vendi ka pasur një kornizë të favorshme negociuese, e cila njeh gjuhën maqedonase dhe afirmon modelin multietnik, ndërsa kërkon realizimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Z. Mickoski jo vetëm që nuk ka plan, por kurrë nuk ka pasur vizion për të zhbllokuar procesin. Në vend të kësaj, po e zhvendos fokusin drejt partneriteteve alternative, larg perspektivës evropiane. Në këtë drejtim të rrezikshëm, kryeministri vazhdimisht ikën nga përgjegjësia, duke deleguar “fajtorë” dhe duke krijuar ndarje. Kjo nuk është lidership. Kjo është shmangie nga përgjegjësia. Ndërkaq gjendja faktike është e thjeshtë dhe e qartë për të gjithë: Qeveria e mëparshme – jo një individ, por e gjithë struktura institucionale – i la një hapësirë të shkëlqyer për veprim. Në vend të çështjeve historike apo të identitetit, korniza negociuese e pranon gjuhën maqedonase, e afirmon demokracinë multietnike dhe parashikon ndryshime kushtetuese që tashmë janë pjesë e sistemit tonë. Mickoski ka një dalje të thjeshtë, por vetë e ka futur veten në qorrsokak”, ka shkruar mes tjerash Osmani.