Me përshkallëzimin e konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit javët e fundit, ka pasur raportime për një përpjekje të re nga Pakistani për t’i sjellë palët ndërluftuese në tryezën e negociatave.
Islamabadi është përpjekur të ndërmjetësojë mes Uashingtonit dhe Teheranit që nga shpërthimi i konfliktit, një rol që ka marrë mbështetje publike edhe nga Kina.
“Nuk kam informacion të saktë për atë që po ndodh tani, por mund të them se angazhimi nuk është ndërprerë as gjatë armiqësive aktive”, tha një zyrtar i lartë në Islamabad për Radion Evropa e Lirë më 25 korrik.
I pyetur nëse Pakistani po vepron nga frika se konflikti mund të përshkallëzohet deri në atë pikë sa të ndikojë në sigurinë e kufijve dhe ekonominë e tij, zyrtari u përgjigj: “Janë vendet e Gjirit Persik ato që janë më të shqetësuara, pasi ato po përballen me barrën kryesore të sulmeve iraniane… madje më shumë se Izraeli, tani që Izraeli nuk është pjesëmarrës aktiv në luftë”.
Më 24 korrik, Reuters raportoi se Pakistani po përpiqej të gjente një rrugë për rifillimin e bisedimeve të ndërprera mes Teheranit dhe Uashingtonit. Sipas raportimit, kjo përpjekje po mbështetet dhe inkurajohet nga Pekini, aleat i ngushtë i Pakistanit.
Duke cituar tre burime pakistaneze, Reuters tha se rifillimi i bisedimeve u diskutua gjatë vizitës në Islamabad javën e kaluar të ministrit të Brendshëm iranian, Eskandar Momeni.
Momeni, i cili konsiderohet i afërt me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), u takua me kryeministrin pakistanez, Shehbaz Sharif ,dhe me shefin e ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, gjatë qëndrimit të tij dyditor në kryeqytetin pakistanez më 20-21 korrik.
Teherani po ashtu duket se ka sinjalizuar gatishmërinë për një armëpushim dhe rifillimin e bisedimeve gjatë një takimi të fundit mes ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, dhe homologut të tij kinez, Wang Yi, në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Kirgizi, më 24 korrik.
Araqchi tha se vendi i tij nuk dëshiron që konflikti të vazhdojë dhe se është i gatshëm të negociojë me SHBA-në për ta zgjidhur atë.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA raportoi se Wang shprehu “shqetësim të thellë” për përshkallëzimin e fundit të situatës në Lindjen e Mesme dhe u bëri thirrje të dyja palëve t’u kthehen bisedimeve, siç ishte parashikuar në marrëveshjen kornizë të armëpushimit të nënshkruar në qershor, e cila më pas u zhbë.
“Dera e negociatave, pasi të jetë hapur, nuk duhet të mbyllet dhe për sa kohë që ka shpresë për paqe, nuk duhet të hiqet dorë prej saj”, citohet të ketë thënë Wang gjatë takimit me Araqchin.
Zyrtari pakistanez, i cili foli për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, tha se “Kina ka interesa në një Iran dhe rajon të qëndrueshëm” dhe se ajo ka mbështetur përpjekjet ndërmjetësuese të Islamabadit, pa marrë një rol aktiv.
Në një takim të ndarë me homologun e tij pakistanez, Ishaq Dar, në margjinat e takimit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, ministri i Jashtëm kinez shprehu “mbështetje të fuqishme” për përpjekjet e Pakistanit për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm.
Ndërkaq, presidenti amerikan Donald Trump tha se Uashingtoni dhe Teherani po vazhdojnë negociatat për t’i dhënë fund konfliktit, edhe pse sulmet nga të dyja palët vazhdojnë në të gjithë rajonin, duke paralajmëruar se nuk ka garanci se bisedimet do të prodhojnë ndonjë marrëveshje.
“Po bisedojmë me ta. Mendoj se janë seriozë. Mendoj se… janë shumë më seriozë se sa i kemi parë ndonjëherë, por kjo nuk do të thotë se do të arrijmë një marrëveshje”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë më 24 korrik.
Përpjekjet diplomatike po zhvillohen në një kohë kur tensionet ushtarake mbeten të larta.
Më 24 korrik, Garda iraniane u bëri thirrje banorëve në rajonin e Gjirit Persik që të largohen të paktën 500 metra nga bazat ushtarake amerikane në vendet e tyre, raportoi agjencia IRNA.
