Gazetare: Melihate Rustemi
Institucione të caktuara shtetërore nënshkruan një deklaratë të përbashkët që synon uljen dhe parandalimin e dhunës mes të rinjve. Nënshkruesit konfirmuan se do të angazhohen për krijimin e mjedisit të sigurt shkollor, edukimin për komunikim pa dhunë, parandalimin e dhunës në sport, sigurinë digjitale, shëndetin mendor dhe mbështetjen psikosociale.
“Detyra jonë është ta ulim dhunën në nivelin më të ulët të mundshëm përmes forcimit të parandalimit dhe krijimit të një mjedisi të sigurt shkollor. Tashmë janë vendosur obligime ligjore që shkollat të planifikojnë aktivitete për mbrojtjen e nxënësve”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Ministri I Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski tha se policia po rrit praninë e saj në terren me qëllim të reagoj më shpejtë ndaj rasteve të dhunës mes të rinjve.
“Dhuna mes bashkëmoshatarëve kërkon përgjigje serioze nga më shumë institucione. Bëhet fjalë për një fenomen që po zgjerohet dhe duhet të përgjigjemi me forca të përbashkëta. Policia është në komunikim të vazhdueshëm me shkollat dhe ka prani të shtuar mes nxënësve”, theksoi Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Ambasadori i OSBE-së në Shkup, theksoi se ky proces duhet të vazhdojë me veprime konkrete duke vënë në qendër zërin e të rinjve dhe sigurinë e tyre.
“Më e rëndësishmja është që të rinjtë të dëgjohen, të kenë zë dhe të jetojnë në një mjedis pa frikë dhe dhunë”, tha Kilian Val, ambasador i OSBE-së në Shkup.
Nënshkrimi I deklaratës u realizua në kuadër të grupit nacional të punës për parandalimin e dhunës tek të rinjtë, i cili përfaqëson mekanizmin e parë nacional të dedikuar ekskluzivisht për këtë çështje. Grupi i punës është krijuar nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Shkup, me përfshirjen e institucioneve, organeve të zbatimit të ligjit, si dhe sektorit civil dhe rinor. /Alsat.mk
The post Parandalimi i dhunës mes te rinjëve, me bashkëpunim ndërinstitucional appeared first on Alsat.
