Trajneri i Shkëndijës, Artim Pollozhani u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës pas fitores 3:1 ndaj NK Bravo në Shkup, rezultat që i siguroi kuqezinjëve kualifikimin në raundin e tretë kualifikues të UEFA Conference League, ku do të përballen me Hibernianin e Skocisë, përcjell TV21. Pollozhani vlerësoi paraqitjen e futbollistëve, duke theksuar se skuadra reagoi në mënyrën e duhur edhe pas golit të pësuar dhe nuk hoqi dorë nga loja sulmuese.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur me reagimin e lojtarëve. Ajo që më pëlqeu është se nuk e ulëm ritmin dhe tentuam gjatë gjithë kohës. Edhe në pjesën e parë krijuam raste, ndërsa që nga dita e parë kam thënë se do të luajmë futboll të hapur dhe me raste. Pavarësisht se humbëm disa mundësi, kur një ekip vazhdon të prodhojë raste, goli do të vijë herët a vonë. Goli i tretë në minutat e fundit ishte plotësisht meritë e djemve”, deklaroi Pollozhani.
Trajneri i Shkëndijës theksoi se skuadra duhet të punojë më shumë në finalizim dhe në aspektin defensiv, pasi sipas tij, golat e pësuar ndaj Bravo-s erdhën shumë lehtë. Ai shtoi se nga e premtja fokusi i ekipit do të jetë te analiza e kundërshtarit të radhës, Hibernianit, me synimin për të vazhduar rrugëtimin evropian.
