Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, sot do ta presë me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake presidenten e Republikës së Indisë, Droupadi Murmu, e cila po qëndron për një vizitë zyrtare dyditore në vend.

Pas ceremonisë së pritjes në Kabinetin e Presidentes, do të zhvillohet një takim kokë më kokë mes dy presidenteve, më pas një takim plenar i delegacioneve të Maqedonisë së Veriut dhe Indisë, si dhe një konferencë e përbashkët për media.

Presidentja Murmu mbërriti mbrëmë në Shkup, ku në Aeroportin Ndërkombëtar u prit nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

“Në kuadër të vizitës janë planifikuar një sërë takimesh dhe aktivitetesh. Pres që ato të konfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe t’i japin një shtysë të re avancimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes dy vendeve”, shkroi Mucunski në Facebook.

Gjatë vizitës, presidentja e Indisë do të vendosë kurorë me lule te varri i Goce Dellçevit në kishën “Shën Spasi” në Shkup.

Ajo do të zhvillojë takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, do të nënshkruhet në Librin e Përshtypjeve dhe do t’u drejtohet deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Pasdite do të mbahet Forumi i Biznesit Maqedoni–Indi, i organizuar nga Kabineti i Presidentes në bashkëpunim me Drejtorinë për Diplomaci Ekonomike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. Në hapjen e forumit do të flasin presidentja Siljanovska-Davkova dhe presidentja Murmu, ndërsa do të prezantohen edhe mundësitë investuese të Maqedonisë së Veriut.

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare, dy presidentet do të vizitojnë Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës dhe Muzeun e Qytetit të Shkupit, ku do të marrin pjesë në ceremoninë e zbulimit të bustit të Mahatma Gandit.

Më pas, ato do të udhëtojnë drejt Ohrit, ku do të vizitojnë kompleksin manastiror Shën Naum, si dhe disa manastire dhe kisha në qytetin e vjetër të Ohrit.

Për shkak të vizitës së presidentes Murmu, në zonën qendrore të Shkupit do të zbatohet regjim i veçantë i komunikacionit. SPB Shkup u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë urdhrat dhe udhëzimet e policëve të uniformuar.