Qeveria në mbledhjen e sotme e miratoi Propozim-ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse, i cili do t’i dërgohet Kuvendit për procedurë të mëtejshme. Siç njoftuan nga Qeveria, ligji sjell kufizime të rrepta në reklamimin e lojërave të fatit, duke ndaluar promovimin që i paraqet ato si rrugë drejt suksesit financiar ose që synon të miturit, si dhe përdorimin e personazheve publike në reklama. Gjithashtu, objektet e lojërave të fatit duhet të jenë të paktën 500 metra larg shkollave, ndërsa brenda kësaj zone ndalohen pajisjet elektronike të lojërave të fatit. Qeveria po ashtu njofton mbylljen e 358 platformave ilegale online dhe vazhdimin e masave kundër bixhozit të paligjshëm. Qëllimi i ligjit sipas Qeverisë është krijimi i një sistemi më të kontrolluar dhe mbrojtja e të rinjve nga varësia ndaj bixhozit.

“Fokusi i këtij ligji është i qartë. Mbrojtja e fëmijëve, brezave të rinj dhe familjeve. Për herë të parë vendosen kufizime të rrepta për reklamimin e lojërave të fatit. Ndalohet reklamimi jashtë hapësirave afariste nëse ai ka për qëllim nxitjen e qytetarëve për të marrë pjesë në lojëra të fatit. Ndalohet përdorimi i mesazheve që bixhozin e paraqesin si rrugë drejt suksesit financiar, jetës më të mirë apo si zgjidhje për problemet personale dhe sociale….Pika e dytë kyçe është mbrojtja e procesit arsimor dhe sigurisë së nxënësve. Me ligjin parashihet që të gjitha objektet ku organizohen lojëra të fatit, në kazinotë, klubet e automatëve dhe lojërat elektronike të fatit, të jenë të vendosura së paku 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme”, deklaroi Venere Azizi – Zëdhënëse e Qeverisë./Alsat.mk

The post Qeveria miratoi Propozim-ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse appeared first on Alsat.