Gjendja në Rrugën e Kosovës në Shkup po ngjall shqetësim të madh te qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve. Siç shihet edhe në fotografitë e siguruara, në mes të rrugës janë krijuar gropa të thella dhe dëmtime serioze të asfaltit, të cilat përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për trafikun,raporton Faktiditor.info
Në njërën prej pikave, qytetarët kanë vendosur një paletë druri për të paralajmëruar shoferët mbi gropën, pasi mungon çdo sinjalistikë zyrtare. Një situatë e tillë mund të shkaktojë aksidente, sidomos gjatë natës ose për drejtuesit që nuk e njohin rrugën.
Fotografitë tregojnë se dëmtimet ndodhen në një nga rrugët me frekuentim të lartë, ku çdo ditë qarkullojnë dhjetëra automjete. Përveç rrezikut për sigurinë, gropat po shkaktojnë edhe dëmtime të automjeteve dhe po rëndojnë qarkullimin.
Qytetarët kërkojnë reagim urgjent nga autoritetet kompetente, duke apeluar që dëmtimet të sanohen sa më parë dhe të vendoset sinjalizim i duhur për të shmangur ndonjë aksident të mundshëm.
A do të reagojnë institucionet para se këto gropa të shkaktojnë një tragjedi, apo duhet të ndodhë një aksident i rëndë që të merren masa?/Faktiditor.info/
